Njohësit e çështjeve të drejtësisë, janë shprehur skeptikë se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë se Pajustifikueshme, do të funksionalizohet gjatë vitit 2023.
Nisjen funksionimit të Byrosë pritet ta shtyjë edhe më shumë, dërgimi i projektligjit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nga ana e PDK-së.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, tha për Ekonomia Online se kanë shprehur pakënaqësitë dhe kundërshtimet e tyre në lidhje me formën e përzgjedhjes së drejtorit të Byrosë, me një shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës.
“Ne kemi shprehur edhe pakënaqësitë dhe kundërshtimet tona në grupin punues edhe në Kuvend për draftimin e këtij projektligji dhe që kryesorja ka qenë në raport me përzgjedhjen e drejtorit të Byrosë. Kjo për faktin se sipas ligjit që tani është miratuar përcaktohet që drejtori i ri i Byrosë do të propozohet nga një organ kolegjial përmes 5 anëtarëve, 4 të cilët janë të zgjedhur nga institucionet e ndryshme politike dhe që ky institucion vetëm do ta propozojë drejtorin e ri dhe që drejtori i ri më pastaj do të përzgjidhet me shumicë të thjeshtë nga ana e Kuvendit të Kosovës”, tha ai.
Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha për EO se nga përvoja e tij në formimin e një institucioni të këtillë shpreson që nuk do të shkojnë edhe dy vite deri në formimin e Byrosë.
Ai tha se qëndrimi i më hershëm i tij ka qenë që nuk ka pasur nevojë që të formohet një institucion i ri, por konfiskimin e pasurisë ta bëjë Agjencia Kundër Korrupsionit, e cila është funksionale qe 15 vjet.
“Prej viti 2021 deri vitin 2023, gati dy vite është iniciativa prej nismës së parë kur ka kaluar në qeveri ligji, e më pastaj edhe në Kuvend në leximin e parë, tash i dyti; edhe uroj që të mos kaloj edhe dy vite të tjera deri në funksionalizimin e saj. Qëndrimi im fillestar ka qenë që më mirë kishte qenë që një pjesë të punës ose të mos formohet një institucion i ri po këto aktivitete, këtë punë, konfiskimin e pasurisë ta bëjë Agjencia Kundër Korrupsionit e cila tani është funksionale tash e 15 vjet”, tha ai.
Ai tha se kjo Byro është duke shkuar një hap më shumë dhe cak i saj nuk janë vetëm zyrtarët e lartë, por secili nga zyrtarët që janë në detyrë nga viti 2008 dhe që kanë përfunduar mandatin ose që nuk është në detyrë në 10 vitet e fundit.
E avokati Musa Damati vlerëson se Kosova ka pasur nevojë për krijimin e një mekanizmi të këtillë.
“Komisioni i Venecias në bazë të rekomandimeve të dhënë ka dhënë dritën e gjelbër për sa i përket fillimit të procedurave lidhur me konstituimin, krijimin e Byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar. Mendoj se për Kosovën ka qenë jashtëzakonisht e nevojshme një mekanizëm i tillë për të filtruar pasurinë e ligjshme dhe të paligjshme të krijuar ndër vite në Kosovë nga disa politikanë dhe disa biznesmen prominentë. Andaj edhe konsideroj që ka qenë jashtëzakonisht e nevojshme si mekanizëm i tillë me bazë edhe tek personat civilë”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës, me 66 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim më 9 shkurt ka miratuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.