Serbia po përpiqet që Asociacionin ta shndërrojë si parakusht për marrëveshje dhe një gjë e tillë është e papranueshme për Kosovën, thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi. Sipas tij, këtë çështje Serbia po e përdor si pretekst për të pamundësuar marrëveshjen për normalizim. Rrustemi thotë se e gjithë vëmendja e palëve dhe ndërmjetësuesve duhet të fokusohet të marrëveshja finale për normalizim të raporteve mbi bazën e planit franko-gjerman.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion thotë se ka një intensitet të shtuar të evropianëve dhe amerikanëve për intensifikimin e procesit të dialogut.
“Ka një intensitet të shtuar, sidomos të ndërmjetësuesve evropianë e amerikanë për intensifikimin e procesit të dialogut për marrëveshjen për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, natyrisht mbi bazën e propozimit franko-gjerman të cilin ne e kemi konsideruar bazë të mirë, bazë solide për të vazhduar diskutimet. Ne e kemi pranuar si të tillë, si bazë solide për të vazhduar diskutimin, natyrisht që paralelisht po diskohet në opinion publik është çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Konsiderojmë që Serbia po përpiqet në njërën anë Asociacionin ta paraqesë dhe ta shndërroje si një lloj parakushti për marrëveshje, gjë që është e pamundur dhe e papranueshme për Kosovën, dhe në anën tjetër si një pretekst për ta pamundësuar marrëveshjen për normalizim”, thotë ai.
Rrustemi thotë se Kosova është e interesuar për dialog të mirëfilltë politik, derisa shton se presioni ndërkombëtar duhet drejtuar mbi Serbinë në mënyrë që e njëjta të pranojë planin e evropian.
“Ne jemi për dialog të mirëfilltë politik… E ka bërë të qartë kryeministri Kurti që ai do të jetë edhe kreativ dhe konstruktiv në dialog, për të arritur një marrëveshje me njohjen reciproke në qendër sepse vetëm kështu konsiderojmë që do të normalizoheshin raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë por që natyrisht do të thosha që presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet mbi Serbinë edhe për ta pranuar propozimin franko-gjerman si bazë për dialog por të njëjtën kohë edhe për të hequr dorë nga çfarëdo përpjekje për të shmangur le të themi dialogun, përmes kërkesave të tilla si Asociacioni që e paraqet si parakusht apo qendër të marrëveshjes për normalizim”, thotë Rrustemi.
Rrustemi shton se në takimin e radhës presin të diskutohet mbi bazën e propozimit franko-gjerman.
“Presim të diskutohet mbi bazën e propozimit franko-gjerman për marrëveshjen për normalizim, natyrisht e kemi bërë të ditur vazhdimisht që është shumë e rëndësishme që ky takim të ndodh sa më parë, për ne do të ndodhte shumë më parë, jemi shumë të interesuar që të ndodh dhe të fillojë diskutimi mbi këtë propozim dhe aty të jepen edhe argumentet e secilës palë, sepse ne besojmë shumë që argumentet janë në anën e Kosovës dhe prandaj insistojmë edhe në mundësinë për t’u diskutuar një gjë e tillë. Konsiderojmë që propozimi franko-gjerman është një bazë e mirë për të ecur përpara në drejtimin e duhur për njohjen reciproke, dhe është shumë me rendësi që ka një diskurs të një ideologjie tjetër nga çfarë kemi parë në këto dhjetë vite dialog. Në këto dhjetë vite ka pasur një qasje të përqendruar të zgjidhja e konflikteve që në fakt ka prodhuar më shumë kompleksitet të marrëveshjeve që shpesh janë kontestuar nga palët në terren me dykuptimësi”, shprehet ai.
Ai nuk e mohon që Serbia të paraqesë në tavolinë çështjen e Asociacionit, por shton se Kosovës i përket t’i jap argumentet për funksionalitetin e shtetit dhe mënyrën si mund të adresohen çështjet e pakicave.
“E gjithë energjia duhet të fokusohet të marrëveshja finale për normalizim të raporteve mbi bazën e propozimit franko gjerman, për sa kohë ne e kemi një propozim për marrëveshje për normalizim do të duhej që e gjithë vëmendja, edhe e palëve edhe e ndërmjetësuesve të fokusohet në këtë gjë. Nuk mund të flasim për elemente të caktuara të marrëveshjes apo për marrëveshje parciale të nënshkruara vite më parë në një kohë kur po flasim për marrëveshjen për normalizim. Ne nuk e mohojmë që Serbia mund ta paraqesë në tavolinën e dialogut edhe çështjen e Asociacionit por i përket asaj, jo neve, neve na përket me i thënë argumentet për funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe për mënyrën se si mund të adresohen edhe çështjet e pakicave kombëtare”, thotë ai.
Për Asociacionin, ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur gjashtë kushte, ndër të cilat ka theksuar se i njëjti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk pranohet monoetnik.
“Është shumë e rëndësishme gjashtë pikat e paraqitura nga kryeministri Kurti, që mund të konsiderohen edhe gjashtë kritere, për ta konsideruar eventualisht një Asociacion në raport me marrëveshjen e 2013-ës të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, janë të rëndësishme për t’u siguruar se në njërën anë është në përputhje të plotë me Kushtetutën, në anën tjetër nuk u ofrohet si një mekanizëm strukturave aktualisht ilegale e kriminale në veri të Kosovës të cilat të armatosura e kanë sulmuar policinë, në anën tjetër nuk i ofrohet si një levë një Serbie mosnjohëse për ta minuar shtetin e Kosovës, prandaj është kushtëzuar fillimi i zbatimit me momentin e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe njohjes reciproke në mes të dy vendeve, e deri të elemente të tjera siç është reciprociteti si tipar i rëndësishëm i harmonizimit të të drejtave të pakicave”, shprehet ndër të tjera deputeti i VV-së për KP.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Përfaqësuesi i lartë i saj për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë takim, temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.