Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas deklarimeve të sotme të deputetit të VV-së, Haki Abazi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Haxhiu u tha gazetarëve se nuk e di se për çfarë e ka pasur fjalën deputeti Abazi, por që sipas saj, është shumë e rëndësishme që nëse Abazi ka informacione të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale.
“Unë nuk e di se për çka deputeti e ka fjalën dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta njoftoj Prokurorinë Speciale dhe të bashkëpunoj me të dhe të mos tentoj që të fshihet prapa imunitetit të deputetit”, tha ajo.
Tutje ministrja theksoi se ajo dhe zëvendësi i saj Sallahu tashmë kanë dhënë deklaratat e tyre në Prokurori, por që siç tha ajo, do të jetë e gatshme që ti shërbej institucioneve të Drejtësisë çdo herë që ata e thërrasin për të dhënë dëshmi.
“Siç e keni parë dhe siç ju kam njoftuar unë dhe zëvendësi im Blerim Sallahu, kemi dhënë deklaratat dhe dëshmitë tona për institucionet e drejtësisë me urdhër të prokurorisë për të gjitha informacionet që i kemi. Sepse siç e dini ky rast është raportuar nga unë menjëherë sapo jam njoftuar nga drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë, prandaj edhe epersonat e parë që është dashur të merren në pyetje janë personat të cilët e kanë raportuar rastin. Çdo herë do të jem e gatshme që ti shërbej drejtësisë dhe çdo herë që institucionet e drejtësisë na thërrasin për të dhënë deshminë tonë për këtë, ne do ti përgjigjemi “, tha Haxhiu.
Ndryshe sot deputeti i VV-së, Haki Abazi në konferencë për media ka thënë se e audio-incizimet mund ta konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Madje sipas tij, lidhur me zhdukjen e mostrave për rastin Dehari, Prokuroria duhet ta marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti, Dehona Mihajllin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj-Bajrami./teve1.info./