Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës ka folur rreth zgjatjes së afatit për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale.
E ftuar në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Haliti tha se si Qendër nuk janë dakord me zgjatjen e afatit për dy vite sepse sipas saj, është jashtëzakonisht i shkurtë.
“Kemi marrë një draft- ligj për ndryshimin e Ligjit i cili është në pjesën e bërjes gati për të shkuar në Kuvend dhe me këtë Ligj parashihet vetëm një afat shtesë prej dy vitesh. Ne realisht e kemi kundërshtuar këtë afat sepse është jashtëzakonisht i shkurtër për të aplikuar të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe do të vazhdojmë me fushata tjera avokuese, qoftë te deputetët, qoftë te kabineti qeveritar, që në momentin kur të shkon në Kuvend ky Ligj ta ketë afatin e pakufizuar”, tha ajo.
Tutje ajo tha se ka ende raste të të mbijetuarve të dhunës seksuale të cilët për shkaqe të ndryshme nuk kanë arritur të aplikojnë ende për statusin e viktimës së dhunës seksuale.
“Kemi pasur situatë jo të pranueshme prej të mbijetuarve të cilët ende nuk kanë aplikuar, pra ka qenë afati pesë vite mirëpo nuk kanë aplikuar. Të gjithë ata që kanë përjetuar dhunë seksuale për shkak të pengesave të shumta që i kanë pasë në familje shoqëri dhe komunitet. Dhe në këto raste duhet të përgatitemi që të ju krijojmë kushte që ata të aplikojnë. Tani meqenëse afati është mbyllur ne kemi pasur disa raste të reja të identifukuara të cilat jemi duke i trajtuar, pra pas së premtes e tutje ka pasë raste të reja”, tha ajo.
Ndryshe të dielën ka përfunduar afati pesëvjeçar i Komisionit Qeveritar dhe nga i njëjti do të shqyrtohen vetëm aplikimet që janë deponuar deri me datën 5 të këtij muaji. Anëtari i sekretarisë së komisionit, Labinot Bala tregoi se që nga fillimi i procesit komisioni ka pranuar gjithsej 1935 aplikacione. Kurse drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se kanë dorëzuar rekomandimet e tyre, me kërkesën që afati për aplikim të mos kufizohet në dy vitet e ardhshme, meqë krimet e luftës nuk parashkruhen./teve1.info./