Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit i tregoi gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit.
Ai ftoi të gjithë ata që janë kundër Asociacionit “të bëhen bashkë në organizimin e protestave”, përcjell teve1.info
Molliqaj e ka quajtur Kurtin “kryeministri i Asociacionit”, teksa i ka kërkuar të tregojë se kur është data e nënshkrimit.
“Direkt nga foltorja e Kuvendit, kryeministri e shpalli planin. Edhe për skeptikun e fundit, sot u bë e qartë që asociacionin e bën Albin Kurti. Por paska vendosur kushte për formimin e Asociacionit. Dhe kushtet që na i paska! Kur ky thotë njohja si kusht, e ka fjalën për planin franko-gjerman. Kur ky thotë nuk ka asociacion monoetnik, po thërret që duhet t’i ndërrohet emri. Kjo është mënyra e tij e operimit. Nuk ka vend për befasi. Logjika doli zhveshur. Plani dhe asociacioni u pranuan, kryeministër cila është dita e nënshkrimit? Tregoje datën!”, ka shkruar ai në Facebook.
“Ftojmë të gjithë ata që janë kundër Asocaiacionit të bëhemi bashkë në organizimin e protestave. Kundërshtimi dhe organizimi janë në horizont”, ka shtuar ai.
Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme ta pranojë Asociacionin sipas marrëveshjes së vitit 2013, teksa theksoi se duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. /Teve1.info/