Tahiri ka thënë se në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve.
“Ka kohë që nxjerrja e parave nga xhepi i qytetarëve, po përkthehet si rritje e të hyrave buxhetore, si rritje ekonomike. Në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë, e të garantojë mirëqenien e qytetarëve, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Sipas tij, bota njeh teotri e shembuj të ndërhyrjes së shtetit për të kapërcyer kriza, e jo praktika të krekosjes kur qytetari ka plot halle.
Vendimi për rritjen e tatimit në pronë është kundërshtuar nga LDK e PDK
Dje në rrjetet sociale është raportuar se Komuna e Prishtinës ka rritur tatimin në pronë, me ç’rast dhjetëra qytetarë kanë reaguar duke e quajtur si vendim absurd.
Pas kësaj, Komuna e Prishtinës ka reaguar duke thënë se nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023, pasi sipas tyre është Ministria e Financave ajo e cila bën vlerësimin dhe përcakton zonat e nivelet e vlerave. Teksa për këtë ka reaguar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se për rritjen e tatimit në pronë janë pajtuar komunat. /Teve1.info/
Postimi i plotë i Tahirit:
Rritja e tatimit për pronat është sulm ndaj qytetarëve!
Efektet zinxhir të krizës socio-ekonomike, nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave.
Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pa bazuar, jo logjike dhe rënduese për qytetarët.
Ka kohë që nxjerrja e parave nga xhepi i qytetarëve, po përkthehet si rritje e të hyrave buxhetore, si rritje ekonomike.
Në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë, e të garantojë mirëqenien e qytetarëve, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve.
Nuk vlejnë rregulla të njëjta në kriza, bota njeh teori e shembuj të ndërhyrjes së shtetit, për të kapërcyer kriza, e jo praktika të krekosjes kur qytetari ka plot halle.