I ftuar në emisionin “ReSpublika” në Tëvë1, Isufi tha se një destabilizim i mundshëm në mes Kosovës e Serbisë mund të zgjerohet edhe më tej.
“Kërcënimet që po vijnë nga Serbia e detyrojnë, e shtyejnë NATO-n në një drejtim që duhet të forcohet Kosova në mënyrë që të integrohet sa më shpejt e që të mos ndodhin destabilizimi që pretendon Serbia ta bëjë. Sepse kjo nuk është pastaj vetëm mes Kosovës dhe Serbisë por mund të gjenerojë edhe në Ballkan e që nuk është në favor sidomos të atyre që janë sot për stabilitet edhe në Ballkan edhe në Evropë por edhe në botë”, tha ai.
Tutje Isufi tha se e pret që aleatët e Kosovës të përfshihen edhe më shumë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë, për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ballkan.
“Kosova e ka drejtimin kah NATO-ja, dhe në këtë segment konsideroj që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, e sidomos shtetet favorizuese që janë për të hyrë Kosova do të involvohen edhe më shumë, sepse Serbia po e shihni që nuk po demokratizohet në formën që duhet për ta kuptuar se Kosova është shtet i pavarur e sovran. Përkundrazi me disa veprime të kohëve të fundit ka treguar se mban anën e Rusisë dhe interes i SHBA-së dhe BE-së, është që të mos lejojnë që Serbia të jetë faktori destabilizues në këtë rajon”, tha tutje ai./teve1.info./







