Rashiq i ka thënë mediumit serb “nova.rs” se nuk e beson versionin që e ka thënë avokati i të dyshuarit se ky i fundit ka shtënë për t’i larguar serbët të cilët ia kishin bllokuar rrugën.
“Versioni se ai ishte i sulmuar dhe i rrethuar është tregim i avokatit të tij, që s’do t’i jepja shumë peshë. Me aq sa di unë, nga një pikëpamje ligjore, nuk ka dyshim se ai gjuajti në drejtim të djemve. Çkado që ka qenë, rikoshet apo gjuajtje direkte, nuk është e rëndësishme në këtë pikë. Unë prirem nga ajo që shkruhet në aktakuzë, që është tentimvrasje dhe e tillë mbetet… Nuk kam asnjë dyshim që ai i gjuajti fëmijët për t’i vrarë ata”, ka thënë Rashiq.
Ai më tej ka thënë se ka qenë prej të parëve që e ka marrë vesh që i dyshuari është arrestuar, pasi thotë se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ministrinë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.
“Duke pasur parasysh rrethanat, që kishte të bënte me fëmijë dhe gjithçka ndodhi në një ditë feste të madhe, mendoj se reagimi i Policisë duhej të ishte dyfish më i shpejtë dhe më i mirë se sa në rastet e zakonshme dhe u lumturova kur ministri më njoftoi si dorasi ishte arrestuar. U ndjeva shumë më mirë”, ka thënë Rashiq.
Ai e konsideron arrestimin e të dyshuarit për plagosjen e dy të rinjve serbë si “sukses të vitit të Policisë së Kosovës”.
Të premtën e kaluar në Shtërpcë u plagosën dy të rinj serbë. Ndaj të dyshuarit për plagosjen e tyre, Azem Kurtaj Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar një muaj paraburgim. Kurtaj, është dorëzuar në polici, ndërsa sipas avokatit të tij, Kurtaj ka shtënë në asfalt për të frikësuar turmën e serbëve që ia kishin bllokuar rrugën.