Në emisionin “Tëvë Herët” në Tëvë1, Kastrati thotë se ushtria duhet të jetë prioritet kryesor për institucionet shtetërore, sepse “pa ushtri moderne, ska as zhvillim ekonomik”.
“Në kohën time është bërë plani për transformimin e FSK në ushtri me ndihmën e miqve tanë. Është bërë një plan dinamik i zhvillimit të kësaj force për me arrit kapacitetet e veta, kemi qenë vonesë për shkak të ndryshimeve kushtetuese, por prapë se prapë janë votuar ligjet në 2018 për misionin ushtarak. Mendoj që nuk ka ecur sa duhet, është dashtë të jetë një prej prioriteteve, sepse pa siguri, ushtri moderne, polici moderne ska as zhvillim ekonomik as siguri të përgjithshme”, thotë ai.
Por, ai mendon se me rritjen e buxhetit për ushtrinë, për 5-6 vite FSK do të jetë e fuqishme “për të mbrojtur kufijtë dhe qytetarët e Kosovës”.
Teksa foli për sulmet ruse në Ukrainë, Kastrati thotë se arsyeja kryesore e pushtimit të Ukrainës nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është se shteti ukrainas ka shumë pasuri natyrore.
“Rusia kur ka bërë këtë sulm ushtarak, fillimisht jo vetëm unë si ushtarak por të gjithë kanë menduar që Ukraina do të pushtohet për disa ditë. Dhe kjo nuk doli në matematikat ashtu siç ka planifikuar presidenti Putin. Preteksti është fakt që gjoja se Ukraina do të hyjë në NATO por nuk e shoh ashtu, kjo është një gënjeshtër e vetë Rusisë sepse faktikisht Lituania, shtetet Polonia, Rumania, Hungaria, krejt shtetet përreth Rusisë janë në NATO. Mirëpo nëse hyjmë më thellë, mendoj që Ukraina është ndër shtetet më të pasura në botë, me grurë, me elb, me misër, me gaz, me qelik, hekur, e me shumë minerale tjera dhe kjo është një prej arsyeve që mendoj se Putini ka vendosur ta sulmojë Ukrainën dhe është duke u përshkallëzuar duke shkuar thellë e më thellë”, shtoi ai.
Tutje, ish-komandanti i FSK-së vlerëson se gjatë kësaj lufte, “Rusia ka pësuar humbje të mëdha”.
“Rusia ka pësuar humbje të mëdha, më shumë se Ukraina. Diku mbi10 mijë ushtarë janë vrarë, janë shkatërruar shumë mjete të transportit, aeroplanë, helikopterë dhe kjo është duke rrjedhë ashtu siç po rrjedhë me kërcënimet për luftë bërthamore ku mendoj se Putin nuk ka shkuar deri te ajo çmenduri për të bërë një hap të tillë, po ta bën faktikisht them se është shkatërrim i botës. Vetë Kievi ka 4 milionë banorë dhe pres që nëse vazhdon kështu do të ketë shumë viktima në civilë”, tha Kastrati./teve1.info/.