Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka shtuar se për mbledhjen e radhës do të njoftojnë me kohë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë zyrtarisht vendimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në këto rrethana që ndërlidhen me ndërprerjen apo pezullimin e aktiviteteve përgatitore. Për mbledhjen e radhës do t’iu njoftojmë me kohë”, ka thënë ai.
Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas përfundimit të konsultimeve me partitë politike dhe konsensusit të plotë të dalë nga ky takim, sonte ka caktuar 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Shtetet e QUINT-it kanë mirëpritur vendimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, për shtyrjen e zgjedhjeve në veri. Përmes një njoftimi, të njëjtit kanë thënë se ky vendim avancon përpjekjet për një situatë më të sigurt në veri,/teve1.info./







