Ai në RTK ka thënë se e gjithë puna që është bërë ndër vite në veri, rrezikon të humbet, derisa është shprehur këmbëngulës se nuk do të tolerojnë dhunën në veri të vendit.
“Detyra jonë e parë është sigurimi i lëvizjes së lirë në Kosovë. Jemi të pajisur për t’u ballafaquar me një situatë të tillë. Por, ne veprojmë në pajtim me situatën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke reaguar ndaj cilësdo situatë që e kemi përpara. Nuk e tolerojmë dhunën dhe pikë. Dhunën nuk mund ta tolerojmë dhe nuk do ta tolerojmë”, ka theksuar Ristuccia.
Komandanti i KFOR-it ka theksuar se kjo forcë ushtarake është e ndërtuar, e trajnuar dhe e pajisur me forca të mjaftueshme njerëzore për të kryer secilin lloj detyrimi brenda mandatit të tij.
“Sigurisht nëse situata përkeqësohet mund të llogarisim në mbështetjen e të gjithë NATO-s dhe 27 shteteve anëtare. Që nga viti 1999 KFOR-i ka pasur mbi 50 mijë forca njerëzore, ndërsa tani me progres të situatës numri i ushtarëve është ulur për aq sa siguria është përmirësuar. Besoj se kemi forca dhe pajisje të mjaftueshme për t’u ballafaquar me çdo situatë. NATO-ja ka ngritur prezencën tonë në terren dhe jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me çdo situatë nëse ka nevojë edhe me forca shtesë, por për momentin nuk mendojmë se ekzistojnë kushtet e tilla”, ka shtuar Ristuccia.
Ai ka thënë se që nga fillimi i këtij viti situata është përkeqësuar në kuptimin e tensioneve.
”Para se të emërohesha në krye të këtij misioni kanë filluar tensionet dhe që nga ajo kohë jemi ballafaquar me një situatë ku të dyja palët kanë pasur reagime dhe kundër reagime, në atë mënyrë që nuk po sjellë qetësi. Ka njerëz anues ose që sjellin paqartësi, pra që nuk sjellin qetësi. Ajo çfarë ka ndodhur pas dorëheqjes së shumicës së zyrtarëve nga institucionet që kanë qenë në veri të Kosovës ka krijuar një lloj vakumi që nuk i ka kontribuar situatës së sigurisë”, është shprehur komandanti i KFOR-it.
Ai ka thënë se ngjarja e fundit në veri të vendit është vetëm njëra prej atyre çështjeve brengosëse për Bashkësinë Ndërkombëtare dhe sipas tij problemi është se ka shumë çështje të prapambetura të pazgjidhura.
Në fund, gjenerali italian ka dhënë edhe një mesazh për popullin e Kosovës dhe në përgjithësi për popujt e Ballkanit Perëndimor.
“Asnjëherë të mos e ndalin ëndrrën dhe të mos humbin shpresën për një të ardhme më të mirë. Të mos ndjekin dezinformatat toksike. Le të përpiqemi të gjejmë burime të tjera dhe t’i ballafaqojmë ato e jo t’i bartim ashtu siç janë. Pra, të mos ndjekim narrativa toksike”, ka shtuar Ristuccia.