Nga dënimi me burgim të përjetshëm, Naser Pajazitajt, Gjykat e Apelit i la 35 vjet burgim.
Këtë vendim Apeli e mori pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes së të akuzuarit, për vrasjen e 24-vjeçares në Bjeshkët e Deçanit.
Familjarët e viktimës, nuk u pajtuan me vendimin e kësaj gjykate.
Shkëlqim Pajazitaj thotë se kanë shpresuar që do të përkrahet vendimi i shkallës i parë.
“Kemi shpresu që ka mu përkrah vendimi i shkallës së parë, për në shkallën e Apelit. Kjo gjykatë, kur u shpall fajtor nga Gjykata e Pejës herën e parë e ka pranu këtë vendim edhe Gjykata Supreme e ka kthy në kundërshtim tash kjo gjykatë po bjen në kundërshtim me vendimin që e ka marrë. Edhe pse na kena shpresu që ka me u zbulu naj bashkëpunëtor edhe mu u zbulu pse ka ndodh vrasja e Donjetës po qysh po doket ajo ko me met mister për krejt jetën. Kemi bisedu edhe me prokurorin, edhe deri ta marrim vendimin besoj qe e bojna ni ankesë për mu ashpersu vendimin”, tha vëllai i Donjetës.
Në rastet e tilla kur zvogëlohen dënimet, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se institucionet po tregojnë neglizhencë.
“Kemi raste të shumta të cilat janë kthy në rigjykime dhe pa dyshim që kthimi ka qenë vetëm zbutje e dënimit. Vlen të ceket rasti i Nrecaj apo rasti i Pajazitaj të cilët nga burgimi i përjetshëm janë kthyer në 20 apo edhe 35 vite burgim. Mesazhi që ipet përmes zvogëlimeve vetëm se fuqizon dhunuesit të që të kryejnë vepra të tilla pasi që shihet mirë se si sistemi i drejtësisë dështon për të mbrojtur viktimat e dhunës në baza gjinore”, tha Breznica.
Ndërsa, avokati Arbër Jashari, thotë se në këso rastesh sistemi i drejtësisë duhet të bëjë më shumë.
“Mendoj që kurrë nuk është mjaftueshëm, duhet të ketë më shumë profesionistë të lëmisë, ose një lëmie përkatëse. Gjyqtarë profesionistë, prokurorë profesionistë, policë profesionistë në mënyrë që të mos kemi barrier të cilat mund të ndikojnë në ecurinë e krejt çështjes”, tha Jashari.
Sipas Policisë së Kosovë, deri në tetor të këtij viti kanë qenë 2 mijë e 273 raste të dhunës në familje, numër ky i cili ka shënuar rritje duke krahasuar me dy vitet paraprake.
Kronika e realizuar nga Valëza Sylejmani