Ai ka thënë se Osmani ka bërë një përmbledhje shumë të mirë të problemeve sa i përketë takimit të djeshëm në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe shkeljet dhe moszbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Postimi i plotë i Bosch në Facebook:
Përmbledhje shumë e mirë e problemeve nga Presidentja Osmani
Presidentja Vjosa Osmani Sadriu ka reaguar pas takimit të sotëm në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili përfundoi pa marrëveshje, transmeton RTKlive.
Përmes Facebook-ut, presidentja Osmani ka thënë:
“Rregulli i parë i çdo procesi ndërmjetësimi është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga zoti Borell ishte njëanshmëri e hapur, një akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti krejtësisht të deformuar. Sikur Borell të respektonte parimet bazë të neutralitetit, ai do t’i kishte përmendur Serbisë të paktën disa nga marrëveshjet e shkelura të Brukselit, në vend që të akuzonte Kosovën:
- Shkelje e detyrimit për shpërbërjen e strukturave paralele kriminale ilegale, siç e kërkon Marrëveshja e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura mbështeten, financohen dhe armatosen nga Vuçiq, duke synuar të sulmojnë Kosovën sipas stilit të planit të Putinit;
2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes 2013, i cili kërkon nga të dyja palët miratimin e ligjeve për amnisti. Deri më tani vetëm Kosova e ka miratuar;
- Shkelje e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e vitit 2013, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive politike serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj Qeverisë së Serbisë. Kjo është konfirmuar disa herë në raportet e ekipeve ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve;
- Shkelje e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet nga Serbia që të mos bllokojë rrugën evropiane të Kosovës;
- Shkelje e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013, e cila parashikonte integrimin e serbëve në polici, gjyqësor etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje përmes nënshkrimit të kontratave me institucionet ilegale të Serbisë, ndërsa nuk kemi parë asnjë reagim nga BE;
- Bllokimi i zbatimit të Marrëveshjes për energjinë për afro 10 vjet;
- Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë. Serbia nuk ka lejuar shumë zyrtarë të Kosovës dhe qytetarë të të gjitha profileve të hyjnë në Serbi, ka refuzuar dokumentet e lëshuara nga Kosova, etj.;
- Mos zbatimi i marrëveshjes për gjyqësorin, duke vendosur vula, me mbishkrimin “Republika e Serbisë – Kosovë dhe Metohi – nën administrimin e OKB-së dhe Rezolutën 1244”, mbi dokumentet origjinale të lëshuara nga gjykatat e Kosovës dhe institucionet tjera;
- Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrës ndërlidhëse, sipas marrëveshjes së palëve;
- Shkelje e marrëveshjes për doganat pasi Serbia ende përdor vula paralele doganore etj.;
- Shkelje e marrëveshjes kadastrale pasi Serbia nuk ka bërë asnjë progres në lidhje me obligimet e saj për dorëzimin e dokumenteve origjinale kadastrale;
- Shkelje e marrëveshjes për diploma, pasi Serbia nuk ka bërë përparim në këtë drejtim;
- Shkelje e marrëveshjes për Urën e Ibrit, duke u bërë thirrje strukturave të paligjshme që të vazhdojnë aktivitetet e paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve;
- Shkelja e marrëveshjes për përfaqësimin rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës dhe duke keqinterpretuar marrëveshjen në fusnotë pothuajse në çdo organizatë rajonale apo të BE-së, qofshin ato të mbledhjeve të nivelit qeveritar, parlamentar apo të çfarëdo niveli tjetër;
- Shkelje e detyrimeve për funksionalizimin e pikave të kalimit kufitar;
Lista është më e gjatë se kjo.
Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Megjithatë, Kosova kurrë nuk do të heqë dorë nga qëllimi i saj i qartë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë, si dhe ligjin dhe rendin në të gjithë territorin e saj.”