Kjo krizë e tillë ka prekur edhe ekonominë e Kosovës, e cila ka sjellë shtrenjtim të produkteve të ndryshme, sidomos për derivatet e naftës.
Që nga dje, çmimet e derivateve në vend është ngritur për 10 centë në litër, ku këto çmime janë ndër faktorët e parë që kanë ngritje vazhdimisht në Kosovë.
Kryetari i Shoqatës se naftëtarëve, Fadil Berjani, ka paralajmëruar se çmimet pritet të arrijnë deri në 1 euro e 80 centë.
“Çmimet dje kanë qenë 1 euro e 40 centë, sot kanë mbërri 1 euro e 50 centë. Ka pasur rritje ekstreme. Për qytetarët tonë këto çmime janë shumë të shtrenjta, por kjo nuk po varet prej neve, kjo po ndodhë në tërë botën. Sot, çmimi i naftës është 1 euro e 45 centë, benzinës 1 euro e 50 centë. Deri tash kur jeni duke folur çmimet janë për 50 dollarë në ton duke u shtrenjtuar. Për momentin nuk ka të ndalur. Kjo është duke ndodhur në gjithë botën. Organizata prodhuese OPEK ka reduktuar prodhimin, dhe lufta e cila është duke u zhvilluar në Ukrainë, këto kanë bërë që në histori të mos ketë çmime kaq të larta siç janë deri më tani. Siç është duke vazhduar trendi, tek ne çmimet do të bëhen 1.70 centë deri 1.80 centë, ndërsa në vendet në rajon, në Shqipëri dhe Serbi do të arrijë deri 2.50 centë”, ka theksuar ai.
Nga vendimi i Qeverisë për marzhën e fitimit të naftëtarëve, kryetari Berjani kë bërë kërkesë që këtë vendim ta rishikojë ekzekutivi, sepse sipas tij është gabim dhe bankroton shumë kompani tjera.
“Sot në orën 11:00 kam takim me ministren e Tregtisë, sa i përket vendimit të Qeverisë, është i gabuar, vendim i cili dëmton dhe i bankroton shumë kompani, ku do të mbesin shumë punëtorë pa punë. Mendoj se ky vendim duhet të rishikohet dhe besoj se do të kenë mirëkuptim, sepse importuesit marzha e fitimit iu ka dhënë 4 përqind, ndërsa shitësve me pakicë 6 përqind. Kjo është shumë gabim”, ka thënë ai.