Karabinierët italianë që kryejnë patrullime të zakonshme në urën e lumit Ibër, të shtunën kishin në shoqëri edhe trupa të tjera.
Në urë por edhe në sheshin e Mitrovicës së Veriut “Car Llazar” u panë njësi policore të misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. Veç tyre, aty u panë edhe trupa të KFOR-it.
Këto patrullime të përbashkëta vijnë dy ditë para fillimit të zbatimit të masës së gjobitjes për personat që ngasin vetura me targa ilegale.
Në një përgjigjje për televizionin, EULEX ka thënë se trupat e tyre janë vendosur në veri me qëllim të monitorimit të situatës së sigurisë.
“EULEX-i tashmë ka rritur ndjeshëm patrullat e lëvizshme të zbulimit të Njësisë së Formuar të Policisë dhe Njësisë së Formuar të Policisë Rezervë në veri të Kosovës, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në mënyrë që të monitorojë nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Që nga 16 nëntori, në komunat veriore po patrullojnë në këmbë edhe oficerët e njësisë policore të formuar të EULEX-it dhe njësisë policore të formuar rezervë. Pjesëtarët e Njësisë së Formuar të Policisë dhe Njësisë Policore të Formuar Rezervë punojnë me turne dhe po kryejnë patrullime zbulimi 24/7”, thonë nga EULEX-i.
E gjatë së shtunës, nga ekzekutivi u konfirmua për televizionin se një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq mund të ndodhë të dielën.
Ky takim sipas politologut Abdullah Sadiku pritet të prodhojë zgjidhje e që rrjedhimisht t’i bllokojë tensionet e mundshme.
“Duke e pasur parasysh deklaratën e zv/kryeministrit Bislimi ku tha që i kemi parapa disa modalitete se si të zhbllokohet situata, unë parashoh që nesër të ketë zhbllokim të situatës dhe vet biseda telefonike që e kishte Kurti me amerikanin, në njëfarë forme na u bë e qartë se nesër pritet të ketë zhbllokim të situatës”, theksoi Sadiku.
Por analisti i nacionalitetit serb nga Mitrovica, Branisllav Kërstiq ka skepticizëm për takimin Kurti-Vuçiq të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“A jam t’u prit diçka? Nuk jam i sigurtë. Pa një vendim serioz nga ana e State Department-it, më duket asgjë nuk rregullohet. Eksperienca na mëson. Deri tash në çdo moment kur z. Borrell dhe z. Lajçak kanë pas takime në Prishtinë, Beograd a Bruksel ne kemi pas aksidente”, deklaroi analisti Kërstiq.
Edhe nga policia e Kosovës kanë bërë të ditur se janë në gjendje gatishmërie për të garantuar siguri në veri.
“Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme policore dhe në vazhdimësi veprimet e saj do t’i ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform zhvillimeve dhe vlerësimeve operacionale me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve në të gjitha rastet që paraqiten”, thonë nga PK-ja.
Janë bërë dy javë qëkur pjesëtarët e komunitetit serb që shërbenin në politikë, polici, sistemin e drejtësisë e fusha të tjera, kanë vendosur t’i lënë postet e tyre.
Kronika e realizuar nga gazetari Gojart Jashari.