Nga ORCA thonë se Tolaj në mbrojtjen e doktoratës “Sepsisi meningokoksik në Kosovë – Përvojat tona në përdorimin e terapisë adjuvante” në vitin 2004 në Universitetin e Prishtinës, ka 99% të refereancave të përkthyera nga një punim shkencor i vitit 2000 nga autorë të huaj, përcjell teve1.info
“Ky disertacion i ka shërbyer profesorit Ilir Tolaj për ta marrë gradën doktor i shkencave, për t’u punësuar në Universitetin e Prishtinës dhe për të mbajtur titull akademik. ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshme për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorit dhe kandidatit për rektor dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetin dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit. Ne presim që ky organ ta shqyrtojë dokumentacionin e ofruar dhe të vërtetojë se profesori Ilir Tolaj ka kryer shkelje të rënda nga Kodi i Etikës, Statuti i UP-së dhe nga Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata thonë se presin nga Këshilli i Etikës që të marrë masat dhe procedurat e duhura disiplinore.
“Bazuar në të gjitha këto shkelje, ne presim që Këshilli i Etikës bazuar në kompetencat e përcaktuara në paragrafin 6 të nenit 2 të Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës të marrë këtë vendim duke shqiptuar: masën disiplinore sipas nenit 8, paragrafit 1, nën paragrafit 1.10: “ndërprerje të marrëdhënies së punës” dhe masën disiplinore sipas nenit 8, Paragrafit 1, nënparagrafit 1.9: “revokim i gradës shkencore” të doktorit të shkencave”, thonë nga ORCA.
Dy ditë më parë, dy aktivistët e ORCA-s, Dibran Hoxha dhe Rron Gjinovci janë arrestuar pas aktivitetit simbolik para Fakultetit Filozofik ndaj siç thonë ata, plagjiatorëve të shpallur nga Këshilli i Etikës në këtë fakultet. /Teve1.info/