Sipas Muratit, Serbia me këtë veprim ka dashur të zbus zemërimin e Perëndimit ndaj saj, pasi që nuk i vendosi sanksione Rusisë dhe së dyti: për shkak që po dëshiron të paraqitet konsistente.
Murati thotë se këto janë lojëra të Serbisë dhe që sipas tij, tani është koha për samit të liderëve shqiptarë të rajonit.
Shkrimi i plotë nga Valon Murati:
Serbia po e vazhdon lojën: është koha për samit të liderëve shqiptarë të rajonit!
Votimi i Serbisë mbrëmë për rezolutën e AP të OKB-së për të dënuar agresionin rus mbi Ukrainën kishte dy qëllime. E para për të bërë përpjekje që të paraqitet ‘konsistente’ në parimin e ruajtjes së parimit të integritetit dhe sovranitetit territorial dhe indirekt për të krahasuar agresionin rus mbi Ukrainën me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Dhe e dyta të zbus zemërimin e Perëndimit për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Në anën tjetër, Serbia vazhdon me këmbëngulësi në politikën e saj për të mos u bërë pjesë e sanksioneve kundër Rusisë, që vazhdon ta vendos në pozitë të palakmueshme sidomos me detyrimin që ka në kuadër të procesit të anëtarësimit të saj për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Kosova dhe faktori shqiptar duhet me kujdes të shtuar të përcjellin veprimet e politikës serbe, por të mos obsesionohet me të e aq më pak të frikësohet prej saj. Ne duhet të shfrytëzojmë rastin që në funksion të paqes e stabilitetit në rajon por edhe zhvillimit tone të brendshëm të forcojmë pozicionin tonë duke dinamizuar bashkëpunimin me aleatët perëndimor e duke koordinuar veprimet me faktorin shqiptar në rajon.
Është koha për një samit të liderëve shqiptarë të rajonit.