Këto deklarata ai i ka bërë pas zhvillimeve të fundit në veri ku serbët kanë lëshuar institucionet si pasojë e vendimit për konvertimin e targave ilegale në “RKS”.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti tha se deri më tash janë shqiptuar një mijë e 12 fletëqortime për targat dhe nuk është shënuar asnjë incident.
“Me këtë kërcënim po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit tonë. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminalë janë vet dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit problemi i tyre nuk janë vendimet tona, as afatet që parashihen në to. Një mijë e 12 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident i shënuar, asnjë ankesë e regjistruar”, tha ai.
Sipas tij, bojkotimi i institucioneve nga serbët në veri ka ardhur si pasojë e sulmeve nga bandat kriminale si djegiet e veturave apo shtëpive.
“Problem i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin. Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve janë ata të cilëve u pengon ligjshmëria e kushtetueshmëria, luftimi i kriminalitetit e korrupsionit në vendin tonë. Ne jemi qeveri e përgjegjshme e të gjithëve kundër kriminelëve e përkushtuar për zhvillim, për integrim, barazi për të gjithë për respektim të të drejtave të njeriut dhe shërbim ndaj qytetarëve pa dallim e diskriminim”, shtoi ai.
Madje, kryeministri bëri thirrje nga serbët që jetojnë në Kosovë që mos të bojkotojnë institucionet, teksa falënderoi për pjekurinë në ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë.
Ndryshe, Qeveria ka marrë vendim që nga 1 nëntori të fillojë qortimin e atyre që bartin targa ilegale, ndërsa nga 21 nëntori do të fillojë gjobitja e tyre.
Por, këtë e ka kundërshtuar Serbia, kurse bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar shtyerjen e këtij afati për 10 muaj.
Në deklaratat e tij, Kurti është shprehur se nuk do të ketë shtyerje të këtij afati por implementimi do të vazhdojë në datën e caktuar.
Fjalimi i plotë Kurtit gjatë mbledhjes:
I nderuar kabinet qeveritar,
Të dashur qytetar,
Punësim dhe drejtësi; është platforma në të cilën ne kemi garuar para qytetarëve dhe që është shndërruar në paradigmën e qeverisjes sonë.
Punësim nëpërmjet investimeve dhe rritjes ekonomike. Drejtësi nëpërmjet sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Njëra për tjetrën janë parakushte.
Sundimin e ligjit e kemi përgjegjësi programore por edhe obligim institucional. Ne duam sundim të ligjit, sepse duhet sundim i ligjit. Nuk është zgjedhje. Është detyrim.
Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë.
Me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit tonë. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit.
Problemi i tyre nuk janë vendimet tona. As afatet që parashihen në to. 1012 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes. Asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin.
Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Republikës së Kosovës janë ata të cilëve po u pengon ligjshmëria e kushtetushmëria, luftimi i kriminaliteti dhe i korrupsionit në vendin tonë.
Ne jemi qeveri e përgjegjshme. E të gjithëve. Kundër kriminelëve. E përkushtuar për zhvillim, për integrim, për barazi për të gjithë, për respektim të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe shërbim ndaj qytetarëve pa dallim dhe pa diskriminim.
Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë. Aleate e zotuar e paqes. Partnere e besueshme e miqve të saj.
Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të sigurisë edhe të paqes. Ato janë vlera dhe orientimi i yni i përbashkët me partnerët dhe miqtë tanë.
Bëj thirrje edhe një herë që të mos bojkotohen dhe të mos braktisen institucionet. Dua të falënderoj bashkëqytetarët tanë serb për pjekurinë e treguar në ruajtjen e qetësisë, paqes dhe të sigurisë