Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një video ku sipas tij në mesin e grupit të armatosur serb dhe të uniformuar, shihet edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, i cili është edhe në listën e zezë së SHBA-së.
“Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve. Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan. Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi”, ka shkruar Sveçla.
Policia e Kosovës ka vrarë tre dhe ka arrestuar tre pjesëtarë të këtij grupi gjatë përleshjes të së dielës.
Poashtu nga policia është konfiskuar një sasi e madhe e armatimit edhe të kalibrit të rëndë në manastir e fshatit ku ishin ngujuar grupi i armatosur.