Eksperti i fushës së sigurisë, Nuredin Ibishi nuk po e sheh si shumë të mirë zgjedhjen e kontejnerëve si qendra të improvizuara të votimit për zgjedhjet e 23 prillit në veri.
Ai thotë se kontejnerët janë sikur një cak i sulmit, teksa theksoi se ka pasur mundësi të tjera për t’u zgjedhur.
“Me siguri kjo është një zgjedhje alternative, por unë nuk po e shoh shumë të mirë. Ka pasur objekte të tjera në kuptim të infrastrukturës publike, që përveç shkollës ka edhe objekte të tjera të administratës publike që mund të mbahen këto zgjedhje, pa e pengu procesin, që mos me shku në këtë formë. Për këtë po them, nga aspekti i sigurisë po flas, se kontejnerët janë sikur një cak i sulmit dhe pak i ndarë nga vetë infrastruktura që është pak i një qëndrueshmërie më të lartë i vetë objektit, që realisht mund të jenë cak i sulmit”, deklaroi ai në “Ditari” në Tëvë 1.
Ibishi shtoi se përveç shkollave, ka pasur edhe objekte të tjera që “mund të ishin përdorur në kuadër të infrastrukturës ekzistuese, por jo në këtë formë të improvizimit”.
Gjatë së mërkurës, ka filluar vendosja e kontejnerëve në katër komunat veriore. Fillimisht ato ishin vendosur në stacione policore, pastaj Policia e Kosovës i ka bartur në disa vende ku i kanë listuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /Teve1.info/