Dhomën e ka të mbushur me fotografi të të birit.
Është kjo Naile Kodra, nëna e heroit kombëtar, Ilaz Kodra.
Ky i fundit ra heroikisht me 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë, gjatë një beteje me forcat serbe.
Por, 79 vjecarja, e ka të freskët kujtimin kur i biri, Ilazi, e nisi luftën krah për krahu me bashkëfshatarin e tij, komandantin legjendar, Adem Jashari.
E pak metra më tutje, ende valon flamuri kombëtar në kullën e Ilaz Kodrës në Prekazin e Skenderajt.
Në oborrin e saj, ruhet edhe vetura më të cilën Ilaz Kodra, u nis për në betejën e fundit.
“Këtë veturë Ilazit ja kanë sjellë shokët nga mërgata. Më të, Ilazi ka shkuar edhe në betejën e fundit, e ka lënë kërrin diku dhe ka ecë këmbë”, thotë Rexhep Kodra, axha i heroit Ilaz Kodrës
Por, aktivitetet kombëtare ish-komandanti i UCK-së, i kishte nisur shumë më herët.
Madje edhe në Bonn të Gjermanisë, Ilaz Kodra, organizoi grevë urie kundër pushtimit serb në Kosovë.
E këtë aktivitet, nuk e ndali as në ditën e dasmës.
“Ish caktuar një ceremoni si natë e dasmës, të axha i Ilazit në Gjermani. Ilazi nuk qëndroi atë ditë me neve, natën e dasmës, i bashkëngjitët shokëve, nuk u nda prej tyre..”, thotë Kimete Kodra, gruaja e heroit Ilaz Kodra
Brendia e kësaj kulle, është e mbushur me fotografi.
Secila nga to, përmban një histori në vete.
Një histori të tillë, e kanë çorapet që qëndrojnë bashkë me uniformën që dikur e mbante veshur, Ilaz Kodra.
Kimete Kodra, gruaja e heroit Ilaz Kodra”
Këto çorape kanë qenë në trupin e Ilazit për 20 vjet, edhe gjatë procesit të rivarrimit, i kam pa çorapet në kockat e Ilazit, i kam fshi sytë që a është e mundshme që me u rujt dicka e till”, tregon gruaj e komandantit.
Me 2 korrik të vitit 1999, Ilaz Kodra, u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac.
Pavarësisht se ndodhej afër arkivolit të të atit, atë ditë nuk e mban në mend, vajza e heroit.
Por, fotografinë e tij, tani e kujton me krenari, Sumeja Kodra.
“Në këtë foto jam unë me mamin, kjo foto është bërë me rivarrimin e babit, nuk e kujtoj se kam qenë e vogël, por kur e shoh foton më përcjell dhimbje e madhe, sidomos kur e shoh mamin në këtë gjendje, por ndihem shumë krenare për babin dhe për mamin…”, shprehet bija e Ilaz Kodrës
E Avni Kodra, tregon se si i vëllai arriti ta mbante lart moralin e ushtarëve të UCK-së edhe në kohë të vështira.
“Kjo fotografi është kur është vrarë komandant Fehmi Lladrovci, Ilazi bëhët komandant brigadës dhe në atë kohë mediat serbe thonin se zhdukëm terroristat dhe Ilazi me betimin e ushtarëve të rinj, edhe ndërkombëtarët ja kanë nis me këtë videoincizim duke thënë se këta nuk janë terrorista por kanë të drejtën me luftu për vendin e vet”, shprehet ai.
Bashkwluftetari i Ilaz Kodrës, Hasan Kodra tregon si ishte në betejat kundër forcave serbe komandanti i UÇK-së
“Moralin që e ka pas Ilazi, e shpërndajke të tjerët, fjalët e tij, njeri i bekuar ka qenë”, tregon ai.
Të dielën janë bërë 24 vjet që nga rënia heroike e komandantit të UCK-së, Ilaz Kodra.
Kronika e realizuar nga gazetari Fidan Zejnullahu