Jesper Ostlund është selektor i ri i Kombëtares së Kosovës në hendboll (meshkujt). Suedezi Ostlund është prezantuar të martën në konferencën për media të mbajtur në Prishtinë.
Ostlund ka karrierë të suksesshme si trajner në Suedi, ndërsa tani do ta drejtojë edhe Kombëtaren tonë.
Ai e udhëheq prej vitit të kaluar skuadrën elitare të Suedisë, Hallby, me të cilën ka arritur suksese historike.
Hallbyn e ka drejtuar edhe prej vitit 2018 deri në vitin 2022, ku më pas për dy vjet ishte trajner i klubit të njohur suedez, Savehof, me të cilin fitoi dy tituj të kampionit dhe dy kupa të Suedisë në konkurrencë të femrave.
Ka drejtuar me sukses të plotë edhe Kombëtaret e grupmoshave të reja të Suedisë.
Konferencën për shtyp e hapi presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci, i cili falënderoi shtabin teknik të deritashëm, që udhëhiqej nga Bujar Qerimi.
Kolgeci ka prezantuar para gazetarëve disa prej sukseseve të selektorit të ri, Ostlund, dhe asistentit të tij, Jasmin Zhuta.
Jasmin Zhuta po ashtu ka karrierë impresive në Suedi. Ka drejtuar klube të ndryshme dhe shquhet për punën individuale.
Zhuta është shqiptar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut dhe është krenar që do të punojë te Kosova.
Ostlund ka folur për synimet me Kosovën, duke insistuar se synimi kryesor është kualifikimi në një ngjarje të madhe, Evropian apo Botëror.