Mëngjesin e hershëm të së enjtes një aksion i Policisë së Kosovës u zhvillua në të gjitha rajonet e vendit.
Drejtoria e Krimeve Ekonomike bashkë me Prokurorinë Themelore të Prizrenit bastisën disa lokacione, ku u arrestuan 39 persona.
Ndër të arrestuarit janë ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave, Valon Berisha.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu tregoi se vlera e dëmit të shkaktuar nga të dyshuarit është mbi 1 milionë e 43 mijë euro.
“Ne sot kemi marr urdhëresat e gjykatës për bastisjen e shtëpive dhe lokacioneve e 47 personave në mesin e tyre një person juridik dhe mund të konfirmoj se këtij aksioni i ka paraprirë edhe aplikimi i masave të veçanta hetimore…Fjala është keqpërdorimet që janë bërë në Byron Kosovare të Sigurimeve, cak i hetimeve në mesin e hetimeve janë ish-drejtori ekzekutiv i BKS-së dhe ish-drejtorit i departamentit financiar të BKS-së të cilët duke keqpërdorur autorizitimet që i janë besuar nga BKS iu kanë mundësuar personave të ndryshëm përmes personave të ndryshëm dhe vetvetes që të bartin transaksione të ndryshme ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëme të mëdha Byros të Sigurimeve. Po ashtu, kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara t cilat deri në këtë fazë kemi vlerësuar që ato dokumente të dyshuara faktikisht i kanë përdorur si të mirëqena dhe i kanë shkaktuar Byros Kosovare të Sigurimeve dëm në vlerë 1 milionë euro e 43 mijë euro”, ka thënë Kryeziu.
Ai shtoi se janë siguruar 166 transaksione të dyshimta, në mesin e së cilave 25 kanë të bëjnë me 12 persona.
“Ne kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona, me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore kinse si përfaqësim si të autorizuar si përfaqësues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompenzuar në vitin 2022-2023 përderisa personat tjerë veçse kanë qenë të kompenzuar qysh në vitet e mëhershme 2016 deri në vitin 2017. Po ashtu, kanë aplikuar edhe 141 transaksione tjera tek persona të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm dhe kanë bartur shuma të ndryshe. Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë 6800 euro, ndërsa më e larta ka qenë 68 mijë euro. Aksion të sotëm i kemi pas 46 persona fizik dhe ka përfunduar aksioni me 39 të arrestuar për të cilët Prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim”, tha kryeprokurori Kryeziu.
Madje, tregoi se çka u sekuestrua gjatë këtij aksioni.
“Nuk ka pas regjion që nuk ka pas bastisje dhe kontroll dhe arrestime në ditën e sotme lidhur me këto keqpërdorime. Vlen të theksohet se sa i përket sekuestrimeve kemi sekuestruar të holla kesh në vlerë prej 23 mijë e 700 euro, kemi sekuestruar ari aksesorë, orë dore të ndryshme, armë, pajisje elektronike dhe gjithashtu kemi pas bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me inteligjencën artificiale dhe kemi arritur që t’i bllokojmë të hollat në vlerë prej 1 milion 300 mijë e 886 euro”, deklaroi Kryeziu, tha ai.
Gjatë operacionit, kanë qenë të përfshirë 400 policë, për çka kapiten Fatmir Karaliti thotë se ka rezultuar i suksesshëm.
“Operacioni është organizuar në shkallë vendi për shkak të shpërndarjes së personave të dyshuar, ky operacion ka përfshirë angazhimin e një numri të madh të zyrtarëve policor rreth 400 zyrtarë policor janë angazhuar. Edhe pse kemi pasur kushte meteorologjike jashtëzakonisht të vështira gjithçka ka funksionuar sipas planit dhe të gjithë zyrtarët policor i kanë kryer detyrat me sukses të lartë. Ky rast ka rezultuar me sukses të jashtëzakonshëm dhe ka dëshmuar bashkëpunimin shumë të ngushtë që ekziston mes Prokurorisë dhe Policisë“, tha Karaliti.
Sipas kryeprokurorit, shtatë nga personat e dyshuar rezultojnë të jenë jashtë Kosovës, por që hetimet ndaj tyre do të vazhdojnë.
E gjatë ditës së sotme Byroja Kosovare e Sigurimeve ka njoftuar se për rastin në fjalë organet hetimore janë njoftuar nga vetë si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.






