Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës u drejtuan për të kërkuar shërim për një familjare.
Por, një qytetar po pretendon, se puna nuk iu krye, pa dhënë para.
Krejt kjo, kur për operim e dërgoi vjehrrën e tij.
Fillimisht, Ukshin Gashi, tha se mjeku nuk pranoi ta operonte të moshuarën, për shkak të gjendjes së saj.
Por gjithçka, sipas tij, ndryshoi kur u përmend kjo shumë e të hollave.
“S’kem nevoj me e shti në operacion se është e lodhur nuk mundet me e përballu. Kur ja ofrum 400 euro okej tha. Ja dha 400 euro mas dore, tha pop o e shtim në operacion. Pa e shti në operacion ajo vdiç. Veç i murr 400 euro e shkoi.Po mu ma shumë më vrajti se të më thojke edhe dyten herë kur it ham me pare s’kom çka e shti se plak, po kur i thash me pare tha okej ani se po e shti”, ka thënë një qytetar.
Pavarësisht insistimit të televizionit, Gashi nuk e përmendi emrin e mjekut.
“E di kush është, po nuk du me ja thon emrin.”, u shpreh tutje qytetari.
E përgjigje interesante kur u interesua për terapinë e nënës, thotë se mori edhe Fatime Gashi.
“Kom pas për nanën, ishte e moshuar. Ishte me dhimbje të mëdhaja edhe ishim tek mjeku këtu edhe tha jo s’kom barrna ma për këtë hallen se është plak, është vjetru. Po bre it hash është vjetru po e shoh, po e di, e kom nanën po nuk guxon me thonë atë senë. Edhe dhimbjes duhet me ja bo një zgjidhje.” , u shpreh edhe një qytetare tjetër.
Për këtë rast, Tëvë1 pyeti edhe në Qendren Klinike Universitare të Kosovës.
Por, nga QKUK thonë se pacientët nuk e kanë paraqitur një ankesë të tillë.
“Ju njoftojmë se, bazuar në të dhënat zyrtare, as Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe as Komisioni për Ankesa të Pacientëve, që funksionon në kuadër të QKUK-së dhe ShSKUK-së, nuk kanë pranuar ndonjë ankesë të kësaj natyre. Çdo pretendim për parregullsi, përfshirë edhe raste të mundshme të kësaj natyre, trajtohet me seriozitet të plotë nga organet kompetente, në momentin që institucioni njoftohet zyrtarisht dhe posedon informacione konkrete që mundësojnë verifikimin e ndonjë rasti.”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Tutje nga QKUK thonë se i inkurajojnë qytetarët që, nëse hasin në ndonjë parregullsi, të paraqesin ankesë në Zyrën e Ankesave, me shkrim apo përmes postës elektronike.








