28 dhjetori është dita e katërt zgjedhore brenda 2025, të cilën do ta organizojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky institucion do të ketë në dispozicion 37 ditë për të organizuar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe atyre lokale më 12 tetor dhe 9 nëntor, qytetarët e Kosovës do të votojnë për herë të katërt brenda një viti, raporton KosovaPress.
Ky është një rekord i ri jo vetëm për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por edhe shtetin e Kosovës, pasi një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka folur për KosovaPress, pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga presidentja e Kosovës.
Ai ka thënë se organizimi i një procesi të ri zgjedhor përbën sfidë, por KQZ mbetet e përkushtuar të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.
“Organizimi edhe i një procesi të ri zgjedhor brenda një periudhe të shkurtër, sigurisht që përbën sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe stafin e tij, veçanërisht për faktin se aktualisht jemi në fazën përmbyllëse të administrimit të zgjedhjeve lokale. Gjithashtu, data e re e zgjedhjeve nënkupton mbajtjen e ditës së katërt zgjedhore brenda të njëjtit vit. Megjithatë, KQZ, si gjithmonë, do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, tha Elezi.
Elezi ka treguar se ndër nga vendimet e para që KQZ do të ndërmarrë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme është ndryshimi i afateve kohore dhe përshtatja e tyre me ditët e përgjithshme në dispozicion.
“Meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme dhe KQZ ka në dispozicion 37 ditë për organizimin e tyre, një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor është ndryshimi i afateve kohore apo përshtatja e tyre sipas nevojës në pajtim me rrethanat. KQZ do të caktojë në mbledhjen e radhës afatin për partitë për të formuar koalicione zgjedhore, afatin për subjektet politike për t’u certifikuar dhe dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë, si dhe periudhën e fushatës zgjedhore. Po ashtu, KQZ do të vendosë për periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike si dhe afatet për akreditimin e vëzhguesve”, tha Elezi.
Sipas KQZ-së, ky institucion nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të ri zgjedhor, por kërkesën buxhetore do ta përcjellin për miratim në Qeverinë e Kosovë, ashtu siç ka vepruar edhe në të kaluarën kur zgjedhjet.







