Nxënësit e kësaj shkolle, përkatësisht udhëheqja e Rinisë Shkollore në vitet 1998-1999 përmes revistës së tyre “Gjimnazisti” i kishin dhënë jehonë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Fillimisht ata, në shtator të viti 1998, do të ftojnë njohës të rrethanave politike në një tryezë kushtuar luftës së UÇK-së, të titulluar “Kosova, lufta çlirimtare dhe mundësitë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës’’në të cilën do të marrin pjesë profesorët Blerim Reka, BehlulBeqaj, Arsim Bajrami, kryetari i Kuvendit të Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së, MuhametMavraj, profesori Sahit Berisha e drejtori i shkollës Binak Ulaj, si dhe Kryesia e Rinisë Shkollore, redaksia e revistës.Gjimnazisti’’ dhe një numër i nxënësve tjerë”, thuhet në shkrimin e Binak Ulaj ku flet për rolin e këtyre nxënësve.
Këtë aktivitet të Rinisë Shkollore, si dhe pjesëmarrjen e nxënësve në të gjitha demonstratat e kohës do t’i përjetësojë me fotoaparatin e tij, profesor Shyqëri Obërtinca
Në këto rrethana të luftës, kryeredaktori i revistës, Fiton Peja, redaktori përgjegjës Arianit Bytyçi, si dhe anëtarët e redaksisë Bujar Sadiku, Krenare Sogojeva, Albana Rexhepi, Valbona Ruka, NitaBekqeli, Kaltrina Berisha, Vegim Beqiri, si dhe nxënësi që ishte shpërngulur nga Rahoveci, Qerim Ondozi, kishin përgatitur shkrime autoriale, poezi, intervista e anketa në mbështetje të luftës çlirimtare të UÇK-së.
Ky numër i revistës kishte arritur të dërgohej edhe në mesin e luftëtarëve të lirisë, të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Malet e Berishës dhe në zonën operative të Shalës, në Artakoll, rrëzë Maleve të Çyqavicës.

Njëri nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Fatmir Limaj-komandant Çeliku, përmes një video të xhiruar nga kameramani i luftës Abaz Zeka, u ishte drejtuar nxënësve të “Xhevdet Dodës” me vlerësimet më të larta për mbështetjen dhënë luftëtarëve të lirisë.
“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i përshëndes të gjithë nxënësit e gjimnazit “XhevdetDoda” të Prishtinës….Brenda rreshtave të revistës tuaj shkollore shoh se të gjithë këta djem e vasha me zemër e me shpirt janë brenda radhëve tona. …Ne e dimë se ju keni dëshirë të jeni në radhët tona. Ju porosis se nuk janë ushtarë të UÇK-së vetëm ata që kanë armë në duar. Ushtarë të UÇK-së janë të gjithë ata që ndihmojnë, që propagandojnë për luftën çlirimtare që po udhëheqin vëllezërit dhe motrat tuaja.
… Prandaj, vazhdoni, mësoni, luftoni. Luftë është edhe atje që bëni, prandaj vazhdoni, mos u thyeni, veproni. Unë jam i bindur se ju jeni të ditur, ndërsa mbi të gjitha jeni zemërpastër…..Ky është shansi i fundit. Kemi fatin që ne jemi gjenerata që do t’ia sjellë Kosovës lirinë. Është rast historik, të cilin ne si gjeneratë (në të ju përfshijë edhe ju të dashur nxënës të shkollave të mesme) nuk duhet lëshuar kurrsesi.
….Edhe njëherë në emër të UÇK-së ju përshëndes të gjithëve…. Posaçërisht përshëndes Arianit Bytyçin dhe Këshillin Redaktues të “Gjimnazistit”, thuhej në falënderimin e Limajt./teve1.info/







