I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se në takim me partitë opozitare shqiptare bashkë me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Gabriel Escobar, se u ka shpjeguar pasojat e krizës aktuale dhe dëmtim e reputacionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se kanë kërkuar nga partitë opozitare të mbështesin një zgjidhje politike për qetësim të situatës.
“U shpjegova partive opozitare shqiptare të Kosovës pasojat e krizës aktuale dhe dëmtimin e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”, ka shkruar Lajçak, raporton teve1.info
Lajçak dhe Escobar të martën kanë takuar edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe përfaqësues të Listës Serbe.
Të hënën ata kanë takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ata kanë bërë thirrje që kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për zgjedhje të reja në veri të pranohen.
Pas Kosovës dy emisarët do të zhvillojnë vizitë edhe në Serbi. Vizitat e tyre vijnë pas tensionimit të situatës në veri, ku protestues serbë po kundërshtojnë vendimin e Kurtit që kryetarët e zgjedhur të punojnë nga objektet komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.