Kryeministri Albin Kurti duke folur për angazhimet e Qeverisë gjatë dy viteve e gjysmë për sigurimin e energjisë elektrike, ka thënë se ajo është interes kombëtar.
Kurti ka shkruar në Facebook, se siguria energjetike është siguri kombëtare.
“Këto dy vjet e gjysmë qeverisje, kemi punuar në mënyrë metodike për zgjidhjen afatgjate që meriton vendi ynë. Fillimisht ndamë 120 milionë euro për të siguruar furnizim të rregullt me rrymë dhe për të mbrojtur qytetarët dhe bizneset nga rritja e çmimit të energjisë, të shkaktuar nga kriza energjetike. Pastaj, vendosëm themelet për rritjen e kapaciteteve të prodhimit, duke siguruar 700 milionë euro investime në këtë sektor, në mesin e tyre marrëveshja për bateritë me MCC-në në vlerë prej 237.6 milionë dollarë”, ka shkruar ai.
Kurti ka thënë se kanë nxitur uljen e konsumit të rrymës duke subvencionuar kursimin e saj, dhe rritur efiçiencës përmes masave mbështetëse për pajisje elektrike dhe të ngrohjes.
“Janë mbi 208 mijë familje kursimtare që kanë përfituar nga subvencionimi i faturave të energjisë, dhe 10 mijë sosh që kanë përfituar nga subvencionimi i blerjes së pajisjeve efiçiente të energjisë. Ndërkaq 67 ndërtesa publike janë rinovuar për efiçiencë energjetike dhe ka filluar puna në realizimin e projektin 80 milionësh për Ngrohje Qendrore me panele solare, përmes së cilit do të ulim konsumin e rrymës për ngrohje dhe do të kujdesemi për ambient të pastër”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se në të ardhmen Kosova do të ketë më shumë prodhim të energjisë, sidomos nga burimet e ripërtishme.
“Zgjidhja jonë na siguron se në të ardhmen do të kemi më shumë prodhim, sidomos nga burime të ripërtërishme, dhe më pak shpenzim të rrymës. Rrjedhimisht siguri energjetike më të lartë, dhe pavarësi më të madhe nga importi. Krahas energjisë, teknologjia dhe inovacionin përbëjnë themelet e ekonomisë së shekullit 21. Vendi ynë tashmë ka një industri të fuqishme të Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit (TIK) dhe me bilanc tregtar pozitiv. Eksporti i shërbimeve të TIK në vitin 2022 ishte rritur për 114% në krahasim me vitin paraprak. Qeveria është e përkushtuar të investojë në infrastrukturën digjitale, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe ekosistemin e inovacionit, që mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të TIK në vend”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.