Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka filluar dëshminë dëshmitarja Time Kadrijaj, me kodin W04440, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Kadrijaj tha se është kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1998 në Deçan, duke shtuar se puna e saj ka qenë mjeke.
Kadrijaj do të dëshmojë pa masa mbrojtëse dhe është dëshmitarja e shtatë e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pyetjet për këtë dëshmitare, ka filluar që t’i parashtrojë mbrojtja e Pjetër Shalës përmes avokatit, Jean-Louis Gilissen dhe do të zgjasë një orë e gjysmë.
“Mjeke e përgjithshme, e kam kry specializimin si gjinekologe. (Aktualisht) deputete e Republikës së Kosovës. (I përkas) Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, tha Kadrijaj, duke treguar se para fillimit të luftës ka jetuar në fshatin e lindjes në Rastavicë të Deçanit.
Kadrijaj tha se ajo ka qëndruar në fshatin e saj të lindjes dhe se aty ka shërbyer.
“Furnizimi me barna ka qenë i vështirë. Unë kam qëndru në fshatin tim të lindjes për shkak se ka qenë vijë e parë e luftës dhe unë aty kam shërbyer. Secili fshatar aty ka shërbyer me aq sa mundësi kemi pas. Meqenëse unë isha mjeke, kam punu në shoqatën “Nënë Tereza” me automatizëm kam fillu me punu në fshatin e lindjes si mjeke”, tha Kadrijaj.
Kadrijaj tha se gjatë viteve 1998 dhe 1999 është larguar nga Kosova, duke përshkruar edhe vendet se ku ka shkuar.
“Diku në shtator-tetor ‘98 jam largu nga Kosova. Pas ofenzivave jemi detyruar të largohemi dhe rruga që kemi ndjekë ka qenë Rugova që është bjeshkë, pastaj kemi dalë në Mal të Zi, në Ulqin dhe më pas në Durrës, për shkak se e kemi pas një pjesë të familjes atje. Udhëtimin e kam bërë në Koshare-Papaj- Badesh dhe në Koshare”, tha Kadrijaj, duke theksuar se koha kur ka mbërri në Koshare ka qenë fillimi i vitit 1999.
Në Koshare, Kadrijaj tha se ka pasur ekip mjekësor në vijën e parë të frontit.
“Edhe ekipa mjekësore ka qenë në vijat e para të frontit, për shkak të terrenit nuk ka pas spital… kur ka pas ndonjë të plagosur kemi shku me ndihmu”, tha Kadrijaj.
Ndërsa, për punët që i ka kryer, Kadrijaj tha se ka dhënë ndihmën e parë dhe më pas i kanë transferuar të plagosurit në qytetin e Bajram Currit.
“Jemi kanë një grup i mjekëve dhe kemi funksionu si ekip mjekësor. Nuk e di a ka pas njësi apo emër, por kemi qenë si njësi e mjekëve. Kemi funksionu si ekip dhe nuk e kemi pas ndonjë përgjegjës”, tha Kadrijaj tutje.
E pyetur se a ka qenë e pranishme ndonjëherë në Kukës, Kadrijaj tha se është caktuar në Koshare dhe aty ka filluar dhe përfunduar misionin e saj.
“Unë jam përcaktu me qenë në Koshare, aty kam fillu dhe aty kam përfundu”, tha Kadrijaj.
Ndërsa, tha se Milaim Zekën dhe Nasim Haradinajn i ka parë në Koshare, por që nuk e di se në çfarë periudhe kohore.
Ndryshe, pas deklaratës nën betim të Kadrijajt, seanca kaloi në sesion privat me kërkesën e trupit gjykues. Para kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia i tha dëshmitares se ajo është e pranishme në këtë seancë gjyqësore që të dëshmojë me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës.
Sipas Veldt-Foglia, mbrojtja e Pjetër Shalës ka gjykuar së dëshmia e Kadrijajt është e rëndësishme në këtë çështje gjyqësore duke menduar se ajo mund të ketë informata për ndonjë krim të kryer apo ndonjë kryerës të mundshëm.