Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë dy javëve të para të këtij viti, në rajonin e Prishtinës janë identifikuar gjithsej 353 automjete të paregjistruara.
Në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës thuhet se, ky fenomen paraqet një problem serioz për sigurinë në trafik, pasi automjetet e paregjistruara qarkullojnë në rrugë pa kontrollim teknik.
“Përveç tejkalimit të shpejtësisë, sidomos në kushtet e dimrit, nga statistikat e grumbulluara, sfidë mbetet një numër i madh i automjeteve të paregjistruara, gjithsej 353, gjë kjo që paraqet një problem serioz për sigurinë në trafik, pasi këto automjete qarkullojnë në rrugë pa kontrollim teknik”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe në rajonin e Prishtinës janë shqiptuar 1 mijë e 883 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik.
Autoritetet policore u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, duke paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.







