Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dalë me vendim lidhur me rastin e me kërkesën në rastin KI 69/21, me parashtrues Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) dhe Partia Liberale Egjiptiane (PLE), të përfaqësuara nga Albert Kinolli dhe Veton Berisha, për pretendimet se parti të këtyre komuniteteve kanë fituar në zgjedhjet e 14 shkurt 2021-s duke marrë vota “të orkestruara dhe koordinuara me Listën Serbe”.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesën e parashtruar nga PREBK, të deklarojë të papranueshme, si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe (ii) kërkesën e parashtruar nga PLE, të deklarojë të pranueshme për shqyrtim në merita; ndërsa, me shumicë, ka vendosur që (iii) të konstatojë që Aktgjykimi [AA.nr.29/2021] i 12 marsit 2021 i Gjykatës Supreme nuk ka cenuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht PLE-së, për t’u zgjedhur në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021, sipas paragrafit 1 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iv) të konstatojë që ky Aktgjykim nuk ka efekt prapaveprues dhe që në bazë të parimit të sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e palëve të treta. Aktgjykimi do të plotësohet me mendim konkurrues.\
Thelbi i konstatimit të Aktgjykimit thotë se “Vota në Republikën e Kosovës është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Vota nuk mund të anulohet/shpallet e pavlefshme bazuar në përkatësi etnike të votuesit”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Gjykata në vendim e saj ka thënë se në rastin e anekses së Albert Kinollit, ky i fundit nuk i ka shteruar të gjitha mjetet e paraparë me ligj.
“Për sa i përket njërit nga kandidatët e lartcekur, përkatësisht parashtruesit të kërkesës, PREBK, e të përfaqësuar para Gjykatës nga Albert Kinolli, Aktgjykimi sqaron që i njëjti nuk i ka shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj siç kërkohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, sepse nuk i ka apeluar vendimet e PZAP-së të 7 dhe 10 marsit 2021, në Gjykatën Supreme”, thuhet ndër të tjera.
Ndërsa, për rastin e Veton Berishës, gjykata ndër të tjera thekson se “Ndërsa për sa i përket parashtruesit tjetër të kërkesës, përkatësisht PLE, e të përfaqësuar para Gjykatës nga Veton Berisha, Aktgjykimi sqaron që i njëjti konteston Aktgjykimin e Gjykatës Supreme vetëm sa i përket refuzimit për anulimin/shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotime të saktësuara në komunat e Kamenicës, Graçanicës dhe Mitrovicës së Veriut. Megjithatë, Vendimin plotësues të PZAP-së të 10 marsit 2021, që kishte vendosur përkitazi me Mitrovicën e Veriut, parashtruesi i kërkesës nuk e kishte apeluar në Gjykatën Supreme, duke dështuar për pasojë t’i shterojë mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Rrjedhimisht, sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës, vlerësimit meritor të Gjykatës i nënshtrohet Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme vetëm përkitazi me refuzimin e anulimit/shpalljes së pavlefshme të fletëvotimeve në vendvotimet e saktësuara në komunat e Kamenicës dhe Graçanicës, respektivisht”, thuhet në vendim.