Kjo deklaratë e Krasniqit erdhi pasi organizata Human Rights Watch përmendi disa nga çështjet lidhur me të drejtat e njeriut për vitin 2022 në Kosovë.
“Kaosin, mungesën e kompetencës, keqqeverisjen dhe pasigurinë sociale e politike të krijuar gjatë vitit 2022 në vendin tonë – e ka evidentuar edhe raporti i fundit për Kosovën i organizatës Human Rights Watch”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Madje, Krasniqi vlerësoi se dhuna dhe vrasjet e grave, kërcënimet e gazetarëve nga zyrtarë institucionalë e diskriminimi i të gjitha komuniteteve të margjinalizuara, dëshmojnë keqqeverisjen e Qeverisë aktuale në pushtet, përcjellë teve1.info.
“Shpërfaqja e mungesës elementare të përgjegjësisë institucionale në vitin e kaluar, është tregues i qartë se çfarë i pret qytetarët e Kosovës edhe këtë vit nga kjo Qeveri: Abuzim me të drejtat e tyre elementare!”, ka shtuar tutje Krasniqi.
Derisa, te pjesa e Kosovës, në raport u trajtua edhe çështja e keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë, sulmet dhe kërcënimet ndaj tyre dhe, siç u tha, reagimi i dobët i organeve të shtetit.
Human Rights Watch u ndal edhe te dhuna ndaj gjinisë femërore në Kosovë, ku është përmendur rasti i dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga pesë të dyshuar dhe vrasja e grave nga bashkëshortët e tyre./teve1.info/.