Hysen Ahmeti të martën mbushi 94 vjet, në këtë ditë e kujton edhe takimin e fundit më të birin
Telefoni nuk iu ndal gjatë gjithë ditës.
Hysen Ahmeti nga Hajvalia, të martën i mbushi plot 94 vjet.
Por, përveç gëzimit në këtë ditë, Ahmeti ka edhe dhimbje.
Pikërisht me 18 prill të vitit 1999, ishte dita kur e pa për herë të fundit, të birin, Rexhepin.
Ky i fundit, ishte në mesin e 115 të vrarëve, në atë që njihet si Masakra e Makovcit.
“Ky u shku të miqt e vet, të fëmija e vet në Viti, se më tha babë po shkoj në Marec e që gjej diçka naj traktor a najsen, po i marrë fëmijët e po i bi në shtëpi”, shprehet Ahmeti.
Rexhepi ishte djali më i vogël i shtëpisë.
Prandaj Hysen Ahmeti thotë se atë ditë kur doli nga shtëpia, kishte frikë se mund ta gjente më e keqja.
“Jom dal nalt në dritare, kur jon dal përtej përroit anej, janë ba bashkë nja 7 a 8 a 10 djemë bashkë, e i kam këqyr a po i gjuan njësia special se ishin këtu në Hajvali”, shprehet ai
Rexhep Ahmeti arriti që t’i marrë gruan dhe dy fëmijët nga Vitia.
E më pas, të gjithë iu bashkuan kolonës së refugjatëve në fshatin Grashticë.
Por, 31 vjecari nuk e kishte menduar se ai do të ishte vendi ku do të ndahej përgjithmonë nga më të dashurit.
“Jon ra prej nalti e kanë kap Rexhepi, edhe kanë thanë ky është UÇK, edhe e kanë kap për gjoksi, ai i ka refuzu e s’ju ka shku. I kanë ra automat, Rexhepi u ra në guj, edhe i kanë ra apet automat edhe Rexhepi u shtri përtoke”, thotë babi i Rexhepit
E përveç Rexhepit, në Masakrën e Makovcit u vranë edhe 114 shqiptarë të tjerë.
Krejt këta, ishin refugjatë që zgjodhën fshatrat e Gollakut për të mos rënë në duart e forcave serbe.
Ndërkohë në vendin ku janë të varrosur 93 kosovarë që u vranë në këtë masakër, të martën bën homazhe familjarët e krerët e shtetit.
Kronika e realizuar nga gazetari Fidan Zejnullahu