Çështjet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, kriza në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe ndikimi i vazhdueshëm rus, po shihen si faktor destabilizues që mund të nxisin luftë në rajonin e Ballkanit.
Megjithatë Profesori nga Westminster University, Aidan Hehir, thotë se Qeveria e Kosovës po përballet me sukses ndaj këtyre sfidave të jashtme.
“ Kosova aktualisht përballet me një sërë sfidash, shumica e të cilave janë pasojë e faktorëve të jashtëm. Këto sfida janë pandemia, rënia e fuqive perëndimore, politikat e jashtme gjithnjë e më agresive të Rusisë dhe Serbisë, pasiguria ekonomike globale, ndryshimet klimatike dhe një BE e ndarë dhe e hutuar. Në këto rrethana çdo qeveri do ta kishte shumë të vështirë. Deri më tani qeveria e ka dëshmuar veten të aftë për t’u marrë me shumë kompetencë me pandeminë dhe ka filluar të përmbushë premtimet e saj të fushatës për të luftuar korrupsionin dhe për të eksploruar mjete kreative për nxitjen e punësimit. Ajo gjithashtu ka nisur një nismë të re për drejtësinë tranzicionale, të cilën qeveritë e kaluara nuk kanë arritur ta bëjnë. Më e rëndësishmja, qëndrimi i saj në bisedimet me Serbinë ka treguar se ajo po adopton një qasje të sigurt që shënon një ndryshim të rëndësishëm. Ka ikur koha kur Kosova e lejoi veten të ngacmohej nga BE-ja dhe Serbia. Qasja e qeverisë së re padyshim që e ka detyruar Brukselin ta rishikoj politikën e tij ndaj dialogut. Qeveria e re erdhi në pushtet me mbështetje të madhe popullore, mbështetësit e saj kanë pritshmëri shumë të mëdha, por do të kërkohet durim”
Sipas Hehir, Serbia është faktori kryesor që po e rrezikon paqen në Ballkan, dhe rrjedhimisht përmes nismës rajonale Ballkani i Hapur, ajo dëshiron ta shtoj ndikimin e saj tek vendet e tjera.
“Ballkani i Hapur është një marrëveshje më shumë politike sesa ekonomike, e krijuar për të rritur statusin hegjemonist të Serbisë në rajon. Një ide më e mirë është propozimi i SEFTA-s i paraqitur nga kryeministri Kurti, kjo është më gjithëpërfshirëse dhe egalitare, dhe shumë më tepër në të njëjtën linjë me idealet e tregtisë së lirë të përkrahura nga BE-ja. Serbia me mbështetjen e Rusisë po ndërhyn në punët e fqinjëve të saj në një mënyrë gjithnjë e më agresive. Serbia nuk është një demokraci dhe stili i saj i nacionalizmit autoritar është një kërcënim për paqen rajonale dhe për paqen në Evropë. Udhëheqësit e Serbisë janë të vendosur të rishikojnë kufijtë në mënyrë që të krijojnë një “botë serbe”, e cila është në fakt projekti i “Serbisë së Madhe” dikur i përkrahur nga Millosheviçi”
Edhe diplomati britanik Timothy Less, e sheh një situatë të tensionuar në rajonin e Ballkanit. Less thotë se Serbët e Bosnjës janë në tentim për ta shpërbërë shtetin, duke shkëputur Republikën Serbe nga pjesa tjetër e vendit. Madje ai sheh një situatë shumë të tensionuar edhe në veri të Kosovës.
“ Udhëheqja serbe e Bosnjës duket se po bën një shtysë për tu pavarësuar, e cila rrezikon një reagim të dhunshëm nga boshnjakët. Në skenarin më dramatik, Serbia do detyrohet që t’u dalë në mbrojtje serbëve të Bosnjës dhe t’i inkurajojë Kroatët e Bosnjës për të bërë një shkëputje paralele nga Bosnja, duke tërhequr kështu edhe Kroacinë. Megjithatë, kërcënimi për stabilitetin rajonal nuk vjen vetëm nga Bosnja, por edhe nga Kosova ku Prishtina duket e vendosur të imponojë autoritetin e saj në veri të Kosovës. Ky është një hap logjik duke pasur parasysh pikëpamjen e saj se Kosova është një shtet sovran brenda kufijve të saj ekzistues. Mirëpo, Serbia nuk e pranon këtë pikëpamje, sidomos në raport me veriun dhe ka qenë pasive vetëm sepse mosmarrëveshja në thelb është e ngrirë. Nëse Prishtina shkrin konfliktin e ngrire, Serbia do të ndihet e detyruar të përgjigjet, duke rrezikuar një konflikt. Ballkani mund të jetë duke shkuar drejt një periudhe jo stabiliteti, por unë mendoj se kjo do të jetë serioze sepse, në ndryshim nga vitet 1990, nuk ka asgjë për të luftuar. Popujt tani jetojnë të ndarë, prapa kufijve të njohur në hartë. Ndryshe nga vitet 1990, SHBA dhe BE janë gati për të ndërhyjnë nëse është e nevojshme”
E sa i përket nismës rajonale “OpenBalkan”, diplomati thotë u shërben interesave të ndryshme ndërkombëtare, por shprehet skeptik se ky projekt do të ketë sukses.
“Unë e shoh OpenBalkan si një iniciativë që u shërben interesave të ndryshme ndërkombëtare dhe disa aktorëve lokalë. BE e sheh atë si një shans për të stabilizuar Ballkanin pa qenë nevoja për ta integruar rajonin në BE. Serbia e sheh Ballkanin e Hapur si një mënyrë për të integruar diasporën e saj rajonale dhe të vendoset në një pozitë të favorshme si shteti më i madh dhe më i fuqishëm në rajon. Shqipëria po ashtu sheh një mundësi për të integruar diasporën e saj rajonale, veçanërisht në Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut. Maqedonia e Veriut e sheh integrimin rajonal si një mjet për ta siguruar mbijetesën si shtet përballë kërcënimeve për ekzistencën e saj nga Bullgaria dhe Greqia. Megjithatë, unë nuk shoh që Ballkani i Hapur të zhvillohet në mënyrën që do të donin këta aktorë për shkak të kundërshtimit të boshnjakëve, shqiptarëve të Kosovës dhe malazezëve për t’u bashkuar në një nismë të tillë për të cilën ata besojnë se do t’i kthente nën ndikimin serb. Këto shtete për një kohë të gjatë kanë luftuar për t’u çliruar nga ndikimi i Beogradit”
Shumë komentatorë politik, kanë vlerësuar se mosgatishmëria dhe paaftësia e BE-së për të integruar vendet e Ballkanit Perëndimor ka bërë që nacionalizmi të rritet tek këto vende.
Kronika e realizuar nga Shpat Blakqori