Analisti politik, Arton Demhasaj duke folur për ecurinë drejt liberalizimit të vizave, ka thënë se demarkacioni me Malin e Zi nuk ishte kriteri i vetëm për t’u liberalizuar vizat.
Kjo pasi që sipas tij, në kohën kur flitej për demarkacionin ishin edhe disa raste të shënjestruara nga BE-ja e që ishin të lidhura me liberalizimin e vizave.
“Në kohën e demarkacionit nuk ka qenë vetëm demarkacioni. Sepse shpeshherë flitet që po të ishte votu demarkacioni në atë kohën e Qeverisë Mustafa, na u kishin liberalize vizat. Jo, unë nuk mendoj kështu, sepse përpos demarkacionit kanë qenë lëndët e shënjestruara nga BE. Ata kanë ardhë në Kosovë dhe i kanë shënjestru disa raste që janë quajt raste të shënjestruara dhe i kanë përcjell qysh po trajtohen. Ata nuk kanë kërku me u përmbyll rastet për një ose dy vjet sepse ajo është e palogjikshme dhe joligjore, ata i kanë përcjell rastet qysh po shkojnë”, ka thënë Demhasaj.
Sipas tij, që nga Qeveria Thaçi, të gjitha administratat i kanë marrë me prioritet kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për liberalizim.
“Në 2018 për herë të parë ka ardhë pajtueshmëria e Komisionit Evropian e cila thotë që Kosova i ka përmbush kriteret. Ideja e kush ka qenë më meritor: Secila qeveri, prej qeverisë Thaçi e deri në Qeverinë Kurti 2, secila në aspektin e liberalizimit të vizave janë mundu cilëndo kërkesë që ka ardhë nga Bashkimi Evropian me plotësu, madje e kanë marrë gjithmonë me prioritet me plotësu, pikërisht për shkak të këtij procesi”, ka deklaruar Demhasaj në Këndin e Debatit në Tëvë 1.