Ishte duke shkuar në banesën e tij në Dardani kur u vra pabesisht nga dy persona, njëri nga veprimtarët më të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhemail Mustafa.
Në 25 vjetorin e vrasjes së tij, në “Reporting House” në Prishtinë u mblodhën familjarët, shokët dhe dhjetëra anëtarë të LDK-së.
Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, tha se Xhemail Mustafa së bashku bashkëveprimtarët e tij të kohës nisën rrugën për lirinë e Kosovës.
“Një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij ishte padyshim ai i vitit 1989, kur së bashku më një grup idealistësh, intelektualësh e vizionaresh të kohës, ai hodhi themelet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë pluraliste në vend”, ka theksuar Abdixhiku.
Profesori Muhamet Hamiti, tha se kolegu e tij u vra nga ata njerëz që nuk e deshën projektin e Kosovës demokratike dhe të pavarur që po bëhej realitet.
“Xhemailit ia prenë jetën ata që se deshën fjalën e tij të bukur dhe të vërtetë e as projektin e Kosovës demokratike dhe të pavarur që po behej realitet. Ndërsa, në përpjekjen e dytë kriminale ishte vrarë edhe kolegu, miku i tij dhe i yni, Enver Maloku”, është shprehur Hamiti.
Mes lotësh babain e saj e kujtoi edhe Beriana Mustafa. Ajo shprehet e zhgënjyer që edhe pas 25 vjetësh drejtësia nuk ka zënë vend.
“Nuk do ta kisha besuar kurrë që, një çerekshekulli pas vrasjes së tij, do t’ju drejtohesha këtu me një fjalim që nuk kërkon asgjë më shumë veçse vendosjen e drejtësisë”, ka thënë Mustafa.
Në fund të ceremonisë përkujtimore, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndau dekoratën më të lartë të partisë, ‘Dr. Ibrahim Rugova’, për Xhemail Mustafën, si shenjë kontributi për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.
Xhemail Mustafa ishte gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i Presidentit Historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova






