Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka dënuar me 24 vite burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua veçmas me 22 vite burg për vrasje të rëndë, 1 vit për armëmbajtje pa leje dhe 2 vite për kanosje, ndërsa në bazë të dispozitave ligjore iu shqiptua dënim unik prej 24 vitesh burgim.
Në këtë dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas gjykatës, më 12 prill 2024, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Valon Aliu me dashje ka privuar nga jeta ish-bashkëjetuesen e tij, E.C.
Më 8 tetor 2024, Valon Aliu, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe atë të kanosjes, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja kishte ndodhur pasi i akuzuari kishte marrë më herët djalin e tyre nga QPS-ja dhe ishte kthyer më pas pa të.
Rreth orës 14:40, pasi kishte vërejtur viktimën së bashku me vëllain e saj, ai hyn në zyrë dhe pas një fjalosjeje të shkurtër nxjerr armën.
Ai e qëllon fillimisht viktimën në kraharor, më pas shtie edhe në drejtim të vëllait të saj, duke e plagosur në krah.
Viktima tenton të largohet, por Aliu e qëllon sërish në gjoks dhe në fund në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Pas vrasjes, i dënuari ka kërcënuar edhe një zyrtare të QPS-së, duke ia vendosur armën në ballë dhe duke i thënë: “shuaj se të gjuaj edhe ty”.
Gjykata ka konstatuar se Aliu posedonte pa autorizim një pistoletë të tipit “ZORAKI M 2906-T”, e cila është konfiskuar në mënyrë të përhershme.
Atij i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Të dëmtuarit janë udhëzuar që kërkesat pasurore t’i realizojnë në procedurë civile.







