Policia e Kosovës ka arrestuar në flagrancë një instruktor i cili kishte pranuar një shumë prej 500 euro nga një person tjetër për t’ia mundësuar kalimin e testit.
Rasti ka ndodhur në Pejë të enjten.
“Hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare të DHKEK, duke përdorur masat e veçanta të hetimit, kanë arrestuar të dyshuarin: B.G., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), instruktor në një auto-shkollë në Pejë. I njëjti është arrestuar në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer. Të dyshuarit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet monetare të cilat kanë shërbyer për simulim të veprës penale. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndaj tij është iniciuar rasti ‘pranim i ryshfetit në sektorin privat’ dhe më pas, me akt-vendim të prokurorit të PTH-Pejë i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Ndërsa, në një rast tjetër gjatë një kontrolli në tri barnatore në dy prej tyre janë gjetur barna pa banderola.
“Gjatë kontrollit, në dy barnatore,është gjetur një sasi e barnave pa banderola. Janë sekuestruar 144 paketime të barnave të ndryshme. Në prezencë të avokatit është intervistuar i dyshuari: N.Zh., (viti i lindjes 1987, mashkull kosovar). Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’. Me akt-vendim nga prokurorja, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt”, thuhet tutje nga policia.