Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se themelet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndryshojnë pavarësisht se pas zgjedhjeve në BE do të ketë disa ndryshime në pozita.
Ai në emisionin “Këndi i Debatit”, ka thënë se themel i dialogut është marrëveshja bazë e shkurit të vitit 2023 dhe se të dyja palët duhet të përmbushin obligimet që kanë marrë.
Guerot ka thënë se nga detyrimet kryesore për Kosovën është formimi i Asociacionit.
“Themelet nuk do të ndryshojnë. Themelet do të mbesin tek marrëveshja e shkurtit, bashkë me detyrimet që të dyja vendet kanë pranuar. Serbia ka marrë detyrime mbi vete, Kosova ka marrë detyrime mbi vete. Do të jetë vazhdim i asaj politike , vazhdim i pritjeve nga të gjithë për të zbatuar detyrimet e tyre. Nga detyrimet kryesore për Kosovë është puna drejt zbatimit të Asociacionit”, ka thënë ambasadori francez.
Ai ka thënë se draft-statuti i BE-së për Asociacionin, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se të gjithë presin nga Qeveria e Kosovës të bëjë hapa drejt formimit të tij dhe një nga ta është dërgimi i këtij drafti në Gjykatën Kushtetuese.
“Të gjithë presim që të ketë hapa përpara. Dhe një hap shumë konkret është dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ambasadori Guerot.
Sipas tij, dialogu dhe zbatimi i marrëveshjeve janë në të mirë për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë por edhe të rajonit.