Gjatë ditës së sotme, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë pranuar 13 pacientë me probleme në frymëmarrje, siç dyshohet, të shkaktuara nga tymi i një zjarri që kishte shpërthyer në një banesë në qytet.
Nga spitali bëhet me dije se 7 pacientë po trajtohen në Repartin e Pediatrisë, ndërsa 6 të tjerë në Emergjencë.
“Pas trajtimit të nevojshëm mjekësor, gjendja e të gjithë pacientëve është stabile, nën monitorim dhe jashtë rrezikut për jetën, dhe pritet që të lirohen,” thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.
Spitali konfirmon se pacientët janë trajtuar menjëherë pas pranimit, duke siguruar kujdes të plotë mjekësor dhe monitorim të vazhdueshëm.
Ky incident ndodhi rreth orës 05:40 të mëngjesit, kur një zjarr shpërtheu në katin e tetë të një ndërtese shumëkatëshe në rrugën “Bill Klinton”. Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe evakuimit të banorëve, fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Zjarr në katin e tetë të një ndërtese në Pejë, evakuohen banorët







