Në një përgjigje për Tëvë1, BE ka deklaruar se ata intensivisht janë të angazhuar për t’i ndihmuar të dyja palët për vazhdimësi të dialogut, mirëpo kanë shtuar se nuk duan të komentojnë sa i përket këtyre spekulimeve.
“Ne nuk komentojmë spekulimet që qarkullojnë rreth një afati kohor të supozuar për Dialogun. BE-ja vazhdon të punojë intensivisht për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara, por çdo progres dhe afate kohore varen plotësisht nga ato dhe aftësia e tyre për të gjetur konsensusin dhe kompromisin e nevojshëm”, thuhet në përgjigjen e BE.
Njëherit, në përmbyllje të kësaj përgjigje, BE ka theksuar se çdo takim i dialogut do të njoftohet në kohë të përshtatshme, përcjellë teve1.info.
Kujtojmë se Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të shfrytëzohet momentumi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ai tha se deri në mars të vitit 2023 do të shohin se sa progres po bëhet në këtë proces dhe kah po shkon i njëjti./teve1.info/.







