Një shpërthim në një fabrikë eksplozivi në pjesë veriperëndimore të Turqisë të martën, shkaktoi vdekjen e 11 personave dhe plagosjen e shtatë të tjerëve, njoftoi Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya.
Ai tha se kanë filluar hetimet.
“Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në spitalet pranë fabrikës. Po vazhdojnë hetimet për shkakun e zjarrit, por nuk dyshojmë se bëhet fjalë për sabotim në këtë incident”, tha ministri Yerlikaya duke folur para fabrikës.
Në pamjet nga vendi i ngjarjes dukeshin flakë dhe shtëllunga tymi. Shpërthimi ndodhi në një fabrikë në fshatin Kavakli, në krahinën Balikesir.
Ekipe të shumta zjarrfikësish, ambulanca të ndihmës së shpejtë dhe njësite policore u dërguan në zonë ndërsa vazhdojnë hetimet, sipas zyrtarëve turq./VOA