Vendimi i rigjykimit të pjesshëm që zhvillohej me akuzën për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës” u lexua nga gjykatësi i rastit, Bakone Justice Moloto.
Qytetarë të shumtë ndoqën seancën drejtpërdrejt në shesh, përmes ekraneve gjigande dhe pritën me brohoritje e fishekzjarrë vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e shumëpritur të ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj. Ndërsa vet Haradinaj dhe shokët u pritën si heronj në qendër të Prishtinës nga mijëra qytetarë, në një organizim të Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së.
Ben Emerson, avokat i Ramush Haradinajt në një konferencë për media pati deklaruar se ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte duhet t’i kërkojë falje Ramush Haradinajt.
Ndërsa vetë Haradinaj, në një deklaratë dhënë Radio Dukagjinit, është shprehur:
“Prej sot shpirti im i takon dhe është i përkushtuar për t’i shërbyer popullit të Kosovës. E kaluara është e kaluar dhe ne duhet të shikojmë nga e ardhmja. Ne duhet të punojmë më shumë për ta ndërtuar një shtet të vërtetë demokratik, ku mbizotëron rendi dhe ligji dhe që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve tanë. Ajo çka Beogradi apo kushdo tjetër thotë për fajësinë time është jo relevante. Proceset politike duhet të vazhdojnë. Gjatë viteve në vijim do të ketë shumë mundësi për ta trajtuar dështimin e Tribunalit të Hagës. Tani, fokusi im i vetëm janë njerëzit e popullit tim dhe institucionet qeverisëse”.
Lirimin e kishin përshëndetur edhe presidentja e atëhershme Jahjaga dhe kryeministri Thaçi. /KP