Nga janari deri në dhjetor të këtij viti, Agjencia Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur 1 miliard e 250 milionë euro nga tatimet dhe kontributet pensionale. Kështu ka bërë të ditur drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj, i cili shprehet se pritjet janë që të tejkalohet kjo vlerë.
Murtezaj në konferencën përmbyllëse të vitit me medie, ku prezantoi rezultatet e arritura gjatë vitit 2024, tha se kanë pasur rreth 10 milionë euro më pak të hyra si rezultat i ndryshimit të Ligjit për pagën minimale.
“Krahas ngritjes së të hyrave tatimore, përmirësimit të integritetit, gjithashtu kemi shënuar progres edhe në ofrimin e shërbimeve më të mira për tatim paguesit…Në vitin 2024 gjithsej kemi të mbledhura mbi 1 miliard e 254 milionë euro tatime dhe kontribute, ndërsa vetëm tatime rreth 950 milionë euro. E kemi quajtur si Administratë Tatimore e Progresive për faktin që tregon progres të vazhdueshëm të institucionit kyç ku mblidhen të hyrat për buxhetin e shtetit. Për këtë vit janë mbledhur tatime deri dje 941 milionë euro, dhe duke përfshirë edhe tre apo katër ditët e fundit pritjet janë që të tejkalohet mbi 950 milionë euro, që është shumë afër në realizim të planit. Pra, mund të jetë rreth 10 milionë euro më pak e që është si rezultat i ndryshimit të ligjit për pagën minimale…Tek aspekti i të hyrave sipas llojit tatimor vazhdon të prijë TVSh-ja”, tha ai.
Ndërsa, tha se këtë vit është rritur edhe pagesa e tatimeve nga ana e këngëtarëve dhe ajo në sektorin e gastronomisë.
“Tek pjesa e punëtorëve në të kaluarën ka pas ankesa edhe të punëtorëve në raport me realizimin e të drejtave të tyre, kështu në ligjin e ri mbi administrimin e procedurës tatimore është vendosur një dispozitë e re që obligon secilin punëdhënës që minimum një ditë para fillimit të punës ta nënshkruaj kontratën dhe të paraqes në ATK, në mënyrë që të formalizohet punëtori. Kjo ka bërë që nga ajo kohë përmes këtij aplikacioni mbi 82 mijë punëtorë të lajmërohen ose formatizohen. Jo të gjithë këta janë punëtorë të rinj, ka edhe të atillë që në një formë kanë qenë të raportuar…Gjatë vitit 2024 kemi mbi 3 mijë e 700 biznese të fiskalizuara, që në raport me vitin paraprak ka një rritje prej 500 bizneseve më tepër… Këtu mund të shini një dallim të konsiderueshëm në rritje tatimore. Në vitin 2023 kishim vetëm 2.7 milionë euro të paguara nga këngëtarët, këtë vit kemi mbi 3.2 milionë euro. Po ashtu edhe te gastronomia ka një rritje prej 27 milionë që ishte në vitin 2023, mbi 30 milionë euro”, ka thënë ai.
Ndërkaq sa i përket funksionimit në territorin e pjesës veriore të vendit tha se vazhdojnë të kenë operim edhe në atë pjesë, derisa ka shtuar se sfidat në atë pjesë dallojnë.
“Sa i përket funksionimit në territorin e pjesës veriore të vendit, ne edhe në të kaluarën kemi pas operim, dhe sot kemi operim në atë pjesë të territorit. E kemi thënë edhe më parë se në kuadër të stafit të ATK-së krahas stafit të nacionalitetit shqiptar kemi edhe të komunitetit serbë zyrtar tatimor të cilët në bashkëpunim me zyrtarët të komunitetit shqiptar zhvillojnë aktivitet dhe inspektime edhe në pjesën veriore. Për hir të korrektësisë nuk mund të themi se 100 për qind janë sfidat e njëjta por në masë të konsiderueshme sfidat janë të ngjashme ku tatim paguesit aktual tentojnë që përmes formave të ndryshme të krijojnë informalitet ose t’i shmangen detyrimeve tatimore…”, tha ai.
Ndonëse në përmbyllje të vitit, ai tha se sfidë mbetet edhe mungesa e stafit, i cili ka shtuar se për arsyeje të ndryshme nuk mund të rekrutojnë staf.
“Ne si institucion nuk kemi arrit të rekrutojmë staf për arsyeje të ndryshme dhe vazhdojmë të jemi në një staf të kufizuar”, përfundon Murtezaj./kp