Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Strasburg është takuar edhe me Aleancën Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D).
Eurodeputetja nga ky grup, Garcia Perez, bëhet e ditur se mirëpriti lajmin në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Në emër të Grupit të Social Demokratëve në Parlamentin Evropian, ajo u shpreh e gatshme për të punuar së bashku në mbështetje të kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurse kryeministri Kurti falënderoi ata për mbështetjen ndaj Kosovës në proceset eurointegruese.
“Ndërkaq, marrëdhëniet me BE-në i kemi përforcuar duke përafruar edhe më tej politikën tonë të jashtme me atë të BE-së dhe duke iu bashkëngjitur sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë. Republika e Kosovës, krahas sanksioneve ndaj Rusisë dhe solidarizimit me Ukrainën, është aktualisht vend nikoqir i 11 gazetarëve ukrainas të cilët po banojnë dhe veprojnë në kryeqytetin e vendit përmes programit JiR të mbështetur nga Qeveria”, ka thënë Kurti, njofton ZKM.