Fundjava do të dhurojë super ndeshje në Prince Caffe Superligë, përkatësisht javën e 20-të.
Në ditën e shtunë do të zhvillohen dy ndeshje.
Sfida e parë do të zhvillohet ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Vëllaznimit nga ora 17:00, ku të dy skuadrat kanë shtatë fitore e 12 humbje, andaj do të jetë shumë e rëndësishme për të dy skuadrat që duan të jenë pjesë e “Play-off”-it.
Ndeshja kryesore do të zhvillohet ndërmjet Trepcës dhe Golden Eagle Yllit apo nënkampionit dhe kampionit aktual të Kosovës në palestrën “Minatori” me fillim të orës 19:00. Mitrovicasit kanë pasur luhatje gjatë këtij edicioni, ku numërojnë dhjetë fitore e nëntë humbje, ndërsa therandasit pasi nuk e nisën mirë kampionatin me katër humbje, tani kanë 15 fitore radhazi, duke qenë liderë në renditje. Në këtë edicion në elitë, kampionët kanë dy fitore ndaj nënkampionit. Takimi në Mitrovicë pritet të jetë shumë interesant.