Përfaqësuesja e Kosovës të enjten paradite ka zhvilluar stërvitjen e fundit para udhëtimit në Belfast, ku do të përballet me Irlandën e Veriut në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në stërvitjen e mbajtur në kampin nacional në Hajvali thuhet se përzgjedhësi Alain Giresse nuk i ka ngarkuar shumë futbollistët. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka shkruar se trajneri francez është fokusuar kryesisht në aspektin taktik dhe rreshtimin e ekipit përballë Irlandës së Veriut.
Dueli mes Irlandës së Veriut dhe Kosovës, zhvillohet të shtunën prej orës 18:00 dhe i takon Grupit D të Ligës C. Kosova nesër në mëngjes udhëton për në Belfast, ku do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para ndeshjes që e luan një ditë më vonë.
Në njoftimin e FFK-së thuhet se të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe të gatshëm për të dhënë më të mirën për këtë përballje. E për duelin me Irlandën e Veriut, ka folur edhe mbrojtësi Betim Fazliji.
“Atmosfera gjithmonë është e mirë në kombëtare. Është krenari të luash për kombin tënd. Jashtë stërvitjes kemi atmosferë shumë të mirë dhe harmoni ndërmjet veti, derisa në stërvitje punojmë të disiplinuar dhe e japim maksimumin. Besoj se jemi përgatitur mirë, pasi kushtet kanë qenë shumë të mira. Duam të shkojmë në Belfast me synimin për të dhënë maksimumin. Secili prej nesh është i motivuar për fitore në Irlandën e Veriut. Kundërshtari është i fortë. Është një ekip me fizik të lartë dhe me tempo të shpejtë, pasi luajnë futboll të stilit anglez, por ne jemi përgatitur mirë për këtë lojë dhe i kemi bërë zgjidhjet e duhura se s’i t’i kundërvihemi. Ne shkojmë atje me vetëbesim të lartë dhe duam t’i marrim tri pikë tjera ndaj tyre, ashtu siç i kemi marrë para tifozëve tanë“, tha ai.
Ndërkohë, mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu që është ftuar për herë të parë te Kosova, ka shtuar se ndihet krenar që i është dhënë mundësia për të qenë pjesë e “Dardanëve”.
“Ftesa e Giresse ka qenë e pabesueshme për mua. Të jesh pjesë e Kombëtares është ndjenjë e papërshkrueshme. Shpresoj që edhe futbollistë tjerë të Superligës në të ardhmen të marrin ftesa nga Kombëtarja dhe ta përjetojnë këtë ndjenjë. Ekipi më ka pritur shumë mire, është thjesht një ndjenjë e papërshkrueshme. Secili prej lojtarëve më është afruar, më ka përkrahur dhe më ka pritur jashtëzakonisht mirë. Gjatë këtyre ditëve jemi përgatitur mjaft mirë. Atmosfera është shumë e mirë në grup, si jashtë fushës, ashtu edhe brenda fushës dhe shpresoj në rezultat pozitiv”, ka thënë Emërllahu.