Kosova në futboll i ka nisur me barazim kualifikimet për ciklin e ri të Evropianit të vitit të ardhshëm. Kosova të shtunën barazoi me rezultatin 1:1 në udhëtim te Izraeli.
Ishte në epërsi në pjesën e parë, ndërsa pati mundësi ta fitonte tërë ndeshjen në fund me Milot Rashicën.
Ishte pikërisht harkimi i Rashicës në minutën e 36-të që e shtyu kapitenin e vendësve, Eli Dasa, të shënonte në portën e vet. Rashica në minutën e 49-të shënoi gol për 2:0, por gjyqtari kryesor e anuloi atë për prekje me dorë, pas shikimit të situatës në VAR.
Në minutën e 56-të, Dor Peretz barazoi shifrat dhe vulosi rezultatin final të takimit.
Rashica në fundin e ndeshjes nga afërsia gjuajti mbi portë. Ky ballafaqim u zhvillua në stadiumin “Bloomfield” në Tel Aviv, para rreth 30 mijë të pranishmëve. I takoi Grupit I kualifikues për “Euro 2024”.