Guardiola doli në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Liverpool, ku foli për gjendjen e lojtarëve të tij dhe njëkohësisht respektoi kundërshtarët.
“Lojtarët ndihen gati. Nesër do të bëjmë stërvitjen e fundit dhe them se jemi gati për të mposhtur Liverpool. Foden dhe Haaland? Do të shoh ç’mund të bëjmë deri nesër. Foden disa ditë më parë ka kryer një operacion dhe doktorët më kanë komunikuar se do t’i duhen 2-3 javë për t’u rikuperuar. Për çështjen Halaand do të vendos ditën e nesërme, pasi fillimisht duam që Erling të ndihet mirë fizikisht”, tha Guardiola.
Tekniku spanjoll i “citizens” shtoi se si dëmtimi i sulmuesit norvegjez i ka ndryshuar jo pak planet brenda skuadrës…
“Unë kam futbollistë me shumë cilësi dhe jam me fat për këtë. Erling dhe Alvarez janë të dy lojtarë cilësorë. Secili nga ata kanë tipare dhe stil të veçantë të të luajturit, nuk janë të ngjashëm. Në një sezon futbollistik është shumë e vështirë që të gjithë lojtarët të jenë të qëndrueshëm”, shton spanjolli.
Guardiola nuk harron të flasë dhe për rivalët e Liverpoolit, të cilët i trajton padyshim me respekt.
“Me Liverpoolin kemi shumë vite që ndeshemi dhe e njohim mirë. Ashtu siç ata mund të fitojnë çdo ndeshje, edhe ne mund ta bëjmë gjithashtu”, u shpreh Guardiola.