Problemet e Agim Ademit me ligjin ndër vite

Nënkryetar i Federatës së Futbollit për shumë vite dhe themelues i një klubi të futbollit. Agim Ademi në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës erdhi në korrikun e 2018-ës.

Pas vdekjes së Fadil Vokrrit, klubeve u nevojitej zgjidhje emergjente dhe unanimisht për vazhdimin e atij mandati e mbështetën nënkryetarin e atëhershëm, Agim Ademi.

Nuk vonoi shumë dhe filluan problemet e para, nga ato me mandatin që e ushtronte, pakënaqësitë e individëve e më pas edhe të klubeve, por dukej se Ademit nuk po i bëhej vonë.

Një lëndë në gjykatat kosovare e Agim Ademit u soll për më shumë se një dekadë e cila gjeti zgjidhje vetëm në javën që lam pas, mirëpo ky nuk ishte problemi i vetëm i Ademit me ligjin.

Vitin e kaluar i pari i FFK-së, u mbajt në stacion policor pasi u përfshi në një përleshje me një zyrtar të po këtij institucioni.

Kurse sot u arrestua përsëri, tashmë nga Krimet Ekonomike, për lëndë tjera si “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së.

Disa nga klubet e mëdha të futbollit qysh nga kuvendi i vitit të kaluar nuk ishin pro Agim Ademit, nga zgjedhja e tij, mohimi i kandidatëve të tjerë për të marrë pjesë në garë, hermetizimi dhe selektimi në raport me mediat e gjithçka tjetër, Agim Ademit dhe FFK-së po I jepnin imazh tjetër.

Janë klubet ato që po e vuajnë më së shumti këtë fakt, Federata e Futbollit të Kosovës nuk është e licencuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport pikërisht nga këto probleme, kurse klubet e futbollit në vendin tonë kanë mbetur pa vërtetimet që u mundësojnë të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.